Ditët e hapura/Diskutim me të rinjtë e shkollave për modelet e së ardhmes, larg krimit dhe sjelljeve të gabuara

INAC zhvilloi në Elbasan forumin e parë në kuadër të Ditëve të HCapura me nxënës të shkollave nëntëvjeçare të qytetit. Takimi i parë ishte me nxënës të shkollave Sulë Harri, Qamil Guranjaku, Fadil Gurmani dhe Bardhyl Popa.

Interesim masiv i kësaj grupmoshe të cilët krijuan një interaktivitet interesant me panelin duke diskutuar mbi sigurinë, largimin e të rinjve nga sjelljet jo të drejta dhe veset e këqia dhe përqafimin e modeleve pozitive.

Të pranishëm ishin Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë Ardian Çipa, kreu i Prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan, Kreshnik Ajazi, shefi i Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë Ervin Muço, Rudina Mita, drejtore e Shkollës së Mesme Profesionale Salih Çeka, Albana Zejnelhoxha, mësuese në shkollën Dhaskal Todri dhe Xhafior Cankja, oficer projektesh pranë Save the Children.

Drejtori Ardian Çipa foli për punën e bërë nga policia për lftën kundër krimit dhe garantimin e rendit dhe qetësisë në qytet.

Ai i ftoi të rinjtë që të shprehin shqetësimet dhe të bashkëpunojnë me policinë për përmirësimin e situatës.

Prokurori i Elbasanit gjithashtu foli për punën e bërë për luftën ndaj krimit të organizuar, sekuestrimin e aseteve dhe për rrezikun e rekrutimit të moshave të reja.

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë Ervin Muço, foli me të rinjtë për projektet që ka bashkia për angazhimin dhe mbështetjen e të rinjve.

Rudina Mita, drejtore e Shkollës së Mesme Profesionale Salih Çeka dhe Albana Zejnelhoxha bashkëbiseduan për rolin e mësuesve në shkolla, punën e bërë me të rinjtë dhe ndjekjen e modeleve pozitive.

Xhafior Cankja, oficer projektesh pranë Save the Children foli për eksperiencën e tij si shembull pozitiv, për arsimimin jashtë vendit dhe kthimin në Shqipëri për të kontribuar në vendlindje e për ti thënë ndal eksodit të të rinjve që duhet ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Përmes pyetjeve dhe diskutimeve u arrit që të evidentohen mjaft problematika dhe që u morën në konsideratë nga drejtuesit e institucioneve.

Ishte hera e parë që në Shqipëri u realizua një studim me nxënës të moshave 14-15 vjeç për shqetësimet, aspiratat dhe figurat e tyre model.

Rezultatet e studimit ishin vërtet impresionuese dhe shërbejnë si pika orintimi ku duhet të mbështetet puna e institucioneve, familjes dhe shoqërisë për të garantuar të ardhmen e tyre.
Tre organizata të mirënjohura “Information Network & Active Citizenship” (INAC) , “The Resilience Fund” dhe “The Global Initiative Against Transnational Organized Crime”, u përfshinë për një periudhë disa mujore në këtë studim.

Ky forum u organizua në kuadër të projektit “ToP Future” të mbështetur nga Global Initiative against Transnational Organized Crime financuar nga ambasada hollandeze.