Saimir Tahiri do të transferohet nga 313-ta, drejtoria vendosi për burgun e ri ku ish-ministri do vuaj dënimin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të transferohet në burgun e Fierit, aty ku do të vuajë dënimin me 3 vite e 4 muaj burgim. Ky ishte vendimi i marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Tashmë pritet të kryhet transferimi i Tahirit nga burgu 313-të në Tiranë, për në Fier.

Tahiri u dënua nga Apeli i GJKKO-së me 3 vite e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dënimi iu dha me 4 Shkurt, e që nga ajo ditë, Tahiri ka qëndruar në ambientet e paraburgimit te 313-ta në Tiranë. Ish-ministri qëndroi vetëm në një qeli në godinën numër 2. Ai ruhej nga forcat e policisë me të cilët shkëmbente edhe batuta (sipas gazetares Klodiana Lala).

Prokurorët thanë se kanë prova se ish-ministri i Brendshëm ka pasur lidhje me anëtarët e grupit dhe Habilaj dhe i kanë mbështetur e mbrojtur ata në të paktën katër episode trafikimi të drogës në drejtim të Italisë. Por pretenca e tyre nuk u mor parasysh duke dënuar me vetëm 5 vite heqje lirie, ish-zyrtarin, dënim që i reduktohet në 3.4 për shkak se përfiton nga procedura e gjykimit të shkurtuar. Ndaj dhe i shkurohet edhe 1/3 e dënimit. Deri më tani, as mbrojtja e Tahirit nuk ka bërë rekurs pasi presin zbardhjen e plotë të vendimit të Gjykatës së Apelit, ndërsa vetë ish-ministri pritet që të transferohet së shpejti në burgun e Rrogozhinës, ku edhe do të vuajë dënimin.

Edhe pse ish-ministri kërkoi pafajsinë, sërish togat e zeza i konsideruan të forta provat kundër tij duke e dënuar me burg. Akuza e argumentuar nga Prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij. Beteja pritet që të vijojë sërish në Gjykatën e Lartë, por kësaj here ka një ndryshim, Tahiri nuk do të shkojë më si i pandehur, por si fajtor me pranga në duar në kërkim të lirisë.