Nga marsi në të gjitha shkollat e vendit do të nisë përdorimi i regjistrit elektronik.
Ndër duar mësuesit nuk do të kenë më regjistrin tradicional por përmes adresës dhe fjalëkalimit do të hyjnë në faqen e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar ku do të kalojnë vlerësimin dhe komentet për nxënësit.
“Jemi në fazën ku po hidhet një pjesë e vogël e mbetur e nxënësve, gjithashtu është krijuar dhe kurrikula e përgjithshme, është drejt përfundimit dhe kurrikula me bazë shkolle dhe në momentin që përfundojnë të dy këto procese krijohet regjistri elektronik.”
Seldi Beta, specialist në Qendrën e Shërbimeve Arsimore thotë sistemi është i sigurt e sjellë shumë avantazhe e lehtësi për mësuesit, nxënësit dhe prindërit.
“Që nga gjenerimi i dëftesave ose certifikatave nga sistemi, gjenerimi i raporteve të ndryshme që kërkohen, lehtësimi i procedurave të regjistrimit të nxënësve dhe të transferimit të tyre nëpër shkolla. Një pikë e rëndësishme është dhe informimi i prindërve në kohë reale”.
Mësuesit dhe administratorët e shkollave tashmë janë trajnuar për përdorimin e regjistrit elektronik dhe gjithë databazën e të dhënave.
Në shumë prej shkollave të vendit edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga nisja e procesit mësimor nuk ka ende regjistra.
