Prej datës 12 janar 2022 në portalin e Ministrisë së Brendshme italiane është i disponueshëm moduli për të paraplotësuar formularin për pranimin në Itali të punëtorëve sezonalë nga vende ekstrakomunitare mes të cilëve dhe Shqipëria.
Pranimi i kërkesave do të bëhet vetëm në mënyrë telematike e procedura do të nisë në orën 9.00 të mëngjesit të datës 27 janar 2022.
Prej datës 12 janar e për 15 ditë rresht të interesuarit kanë mundësi të njihen me kriteret e pranimit e të paraplotësojnë formularët përkatës, dorëzimi i të cilëve do të nis mëngjesin e 27 janarit e do të vazhdojë deri më datën 17 mars 2022.
Kërkesat do të shqyrtohen për pranim në bazë të renditjes kronologjike të dorëzimit të tyre.
Në dhjetor të vitit 2021, qeveria italiane ka aprovuar dekretin për pranimin e rreth 70 mijë emigrantëve të rinj nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian, mes të cilëve dhe Shqipëria.
“I përgjigjemi kërkesës së Industrisë Italiane e veçanërisht sektorit të ndërtimit”, ka deklaruar kryeministri italian Mario Draghi në prezantimin e këtij dekreti.
Qytetarët shqiptarë që duan të punojnë në Itali kanë mundësi të jenë pjesë e tij e për kryeministrin italian “i jepet kështu mundësi gati 70 mijë punonjësve të huaj të punojnë legalisht në Itali”.
Emigrantët e rinj që pranohen të punësohen duhet të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Tunizia, Ukranina, Bangaldeshi, Bosnja, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Maroku, India, Gambia, Mal i Zi, Moldavia, Etiopi, Mali, Sri Lanka, Senegal, Algeri, Nigeria etj.
