Shoqërohen 60 persona, 15 në pranga, Berisha: Brutalitet i Policisë

Situata në selinë e Partisë Demokratike ditën e sotme duket më e qetë. Pas trazirave të shkaktuara nga protesta e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha për të larguar nga selia e PD-së, kryedemokratin Lulzim Basha, ka pasur pasoja.

Brutalitet i narkopolicisë së kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha, i ka quajtur masat që u morën nga FNSH-ja, ish-kryeministri Sali Berisha. Sot ai nuk komentoi gjatë as për ndalimet por ripostopi një video të një kameramani i cili ishte në krye të detyrës teksa policia mori masa për largimin e protestuesve.

Numri i personave të shoqëruar nga policia e shtetit pas trazirave ka shkuar në 60. Pas përfundimit të protestës, në të gjitha komisariatet e kryeqytetit janë shoqëruar në total një numër prej 60 qytetarësh nga të cilët 28 persona në Komisariatin nr.1, 15 persona në Komisariatin nr.2, 8 persona në Komisariatin nr.3, 5 persona në Komisariatin nr.5, 3 persona në Komisariatin nr.6 dhe 1 person në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Deri më tani 15 prej të shoqëruarve ju është komunikuar arresti. Të shoqëruarit akuzohen për veprat penale “Tubim i paligjshëm”, “Ushtrim i dhunës” dhe “Kundërshtim i forcave të policisë”. Në lidhje me arrestimet, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi denoncoi ditën e djeshme se policia ka shoqëruar dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së.