Në një vizitë informale shoqëruar nga ish-presidenti Bamir Topi, këngëtari i mirënjohur ka vizituar Elbasanin. Kjo vizitë erdhi si një kërkesë e një grupi elbasanasish.
Ja postimi i ADE për vizitën e rrallë:
Me kërkesën e nje grupi elbasanasish, ish-presidenti Bamir Topi fton për një drekë dhe vizitë në Elbasan, këngëtarin e mirënjohur italian Albano Carrisi i cili ndodhet në Shqipëri këto ditë. Një vizitë e pa kuruar, thuajse spontane dhe kënaqësia e bisedimeve të ngrohta dhe krejt të shpenguara që i nxit vetëm një ambjent i tillë. Ngjarje, kujtime, nostalgji e kuriozitet. Gjatë vizitës këngëtari i mirënjohur, shfaqi dëshirën të vizitojë kalanë e Elbasanit dhe të mësojë rreth historisë së saj.
Për të shuar kuriozitetin e tij mbi jetën e qytetit në të kaluarën, diçka përtej thjesht historive zyrtare, Arben Xhaja i dhuroi nga ana e ADE një kopje të librit “Copëza malli” me autor elbasanasin Bim Dakli, në variantin italisht “Frammenti di Nostalgia”.
Pas kësaj dreke dhe vizite të këndshme Albano, premtoi se do të rikthehet në Elbasan së shpejti. Ishte kënaqësi ta prisnim dhe respektonim në Elbasan.
