Dhorjela Çule
Prej më shumë se 4 vitesh mijëra emigrantë nga vendet në konflikt që u vendosën në kampe të ndryshme në Greqi pritën më kot nga autoritetet e vendit fqinjë që të fitonin azil apo të merrnin një zgjidhje për situatën e tyre ndërkohë që u përballën me trajtime johumane. Përtej urisë në kampet e Greqisë ata u bënë viktima të shfrytëzimit, abuzimit, grabitjeve, mashtrimeve ndërkohë që Shqipëria mbeti si e vetmja alternativë për t’i shpëtuar kësaj gjendje dhe për të shkuar në vendet e zhvilluara të BE, ku ata shpresojnë se do të mund të nisin një jetë të re në kushte normale. Por gjatë kësaj përpjekje për të udhëtuar në mënyrë të paligjshme ata përballen me po aq shumë peripeci e madje në disa raste kjo u kushton edhe jetën.
Në fillim të dhjetorit një 27 vjeçar nga Lindja e Mesme u gjet i pajetë në malin e Moravës pak metra mbi fshatin Dishnicë. I riu, i cili është i paidentifikuar kishte humbur jetën nga i ftohti dhe u gjet i pajetë nga një grup bashkëkombasish që ishin në përpjekje për të kaluar kufirin. I riu ishte lënë pas nga grupi me të cilin udhëtonte për shkak se kishte pasur vështirësi për të ecur dhe u gjet i pajetë 3 ditë mëvonë.
Kjo skenë e ngjashme ndodhi edhe në fund të janarit me një tjetër të ri që u gjet i mbytur në fund të janarit në përroin e fshatit Grapsh në Devoll. Ai gjithashtu ishte lënë pas nga grupi për shkak të lodhjes dhe pamundësisë për të vazhduar rrugën ndërsa aksidentalisht ishte rrëzuar dhe mbytur në përroin e fshatit.
Në atë që njihet ndryshe edhe si shtegu i Ballkanit Perëndimor shifrat e kalimeve të paligjshme nga emigrantët vazhdojnë të rriten. “Në tre tremujorët e parë të vitit 2021, në rrugën e Ballkanit Perëndimor ka pasur rreth 40 200 kalime të paligjshme kufitare, ose 117% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm në shtator, itinerari pati 10 400 kalime të paligjshme, një rritje prej 112% krahasuar me një shtator 2020.” – thuhet në publikimet zyrtare në faqen e Frontex, e cila është duke bashkëpunuar prej disa vitesh për frenimin e kalimeve të paligjshme të kufirit nga emigrantët e Lindjes së Mesme. Sipas të njëjtit publikim, kombësitë kryesore të emigrantëve të zbuluar në këtë rrugë ishin shtetas të Sirisë, Afganistanit dhe Marokut.
Pas vuajtjeve në kampet e Greqisë dhe në kushtet kur u është refuzuar qëndrimi, emigrantët tregojnë se policia greke u vendos një afat për t’u larguar çka i detyron ata që të nisen drejt Shqipërisë. Ndryshe nga stina e ngrohtë ku udhëtimi është disi më i lehtë, dimri u rrezikon edhe jetën por të mbetur pa asnjë alternativë ata detyrohen të nisen edhe pse për ditë të tëra mbeten të bllokuar në kufirin e gjelbër.
Një emigrant 27-vjeçar tregon peripecitë që ka kaluar derisa ka mbërritur në tokën e ndërmjetme. “Jam nga Alepo. Pasi policia greke më refuzoi qëndrimin u detyrova të vij këtu por kemi mbetur të gjithë në mes të rrugës sepse nuk mund të kalojmë. Policia shqiptare na kthen pas, ndërsa ajo greke nuk na le të hyjmë andej. Jam 27 vjeç dhe po përpiqem të shkoj në Gjermani ku kam kushëririn.” – rrefen Ibrahimi, i cili prej mëse një jave ka mbetur me grupin e tij në fshatin Trestenik pa mundur të ecë më tej për shkak të kontrolleve të policisë.
Pasi të arrijë në Gjermani, ai shpreson të marrë edhe vëllain e vogël dhe nënën, të cilët i ka lënë vetëm në vendlindje por i mbetur pa asnjë monedhë në xhep, ai tregon se i trembet këtij udhëtimi.
“Nuk kam më asnjë qindarkë në xhep, po më ndihmojnë me ushqime pjesëtarët e këtij grupi që po udhëtojmë. Nuk e di sa do t’ia dal”- tregon më tej ai.
Së bashku me Ibrahimin rrugën drejt Shqipërisë e kanë marrë edhe 10 persona të tjerë. Një tjetër prej bashkëudhëtarëve është dhunuar nga policia greke dhe ende ka në pjesën e kokës shenjat e goditjes.
“Policia shqiptare është sjellë mirë me ne. Është hera e pestë që përpiqem të iki dhe çdo herë që më kanë kapur më kanë kthyer por pa më dhunuar. Policia greke më dhunoi. Më goditën në kokë kur më kapën sepse po përpiqesha të hyja përsëri në Greqi. Kam një javë që kam mbetur këtu në shi e në të ftohtë mes dy shteteve por nuk mund të hyj në asnjërin prej tyre” – tregon ai duke sqaruar se në vendlindje ishte mjek dhe se gjatë qëndrimit në kamp në Greqi është përpjekur t’i ndihmojë sadopak njerëzit aty.
Ndërsa një çift të rinjsh, të cilët nuk pranuan të identifikohen tregojnë se kishin përjetuar vështirësi të shumta në kampet greke dhe se qëndrimi aty kishte qenë një ferr.
“Vuanim për ushqime, ujë, higjenë, trembeshim nga hajdutët, nga trafikantët, nga gjithçka. Është e tmerrshme ta mendosh që në kamp vajzat apo gratë që ishin vetëm, binin pre e prostitucionit por ja që ndodhte”- rrëfen ajo duke theksuar se edhe gjumi në kampe bëhej me turne për t’u mbrojtur nga çdo e papritur.
Vështirësitë e emigrantëve gjenden të dokumentuara edhe tek dëshmitë e dhëna në polici nga ata që kapen e që më së shumti kërkojnë të kthehen pas në mënyrë që të provojnë përsëri kalimin.
“Tregojnë shpesh për përdhunime, sherre mes grupesh, prostituim, vjedhje mes tyre. Rrëfimet janë gati dëshmi mbijetese dhe ndonjëherë të vështira për t’i përkthyer.” – tha një prej përkthyesve të emigrantëve, ndërsa shtoi më tej se duke iu referuar tregimeve të mijëra emigrantëve që ka dëgjuar mund të thuhet se brenda kampeve të vendit fqinjë ka një luftë për ekzistencë.
“Këtu kalojnë thuajse çdo ditë, vijnë në dyqan dhe shpresojnë t’i shpëtojnë policisë” – tregon Ervin Uruçi, një i ri nga fshati Trestenik në Devoll që është ndër fshatrat kufitarë ku hyjnë më shumë emigrantë nga Greqia.
“Shumica janë të vuajtur, pa rroba të mjaftueshme dhe të pangrënë. Të lodhur nga rruga dhe nga qëndrimi në mal. Nuk ua kemi kursyer bukën dhe veshjet”- shton më tej ai.
Rajoni i Korçës mbetet kontakti i tyre i parë që i fut në korridorin e paligjshëm të udhëtimit drejt Evropës Perëndimore. 11890 emigrante te huaj hynë në Shqipëri vitin e kaluar nga të gjitha drejtimet ndërsa në qarkun e Korces vetëm nga operacionet policore në harkun kohor të një viti, dhe në kushtet kur izolimi I pandemisë frenonte thuajse çdo lëvizje, 170 persona u arrestuan gjatë operacioneve të ndryshme ndërsa në total u llogaritën 750 emigrantë të kapur. Sakaq mijëra të tjerë i kanë shpëtuar policisë duke kaluar nga shtigjet e shumta në kufi.
Fshati Vërnik po ashtu një fshat kufitar për një kohë të gjatë ishte shtegu kryesor i kalimit për këta emigrantë por së fundmi për shkak të kontrolleve të shtuara ata janë detyruar të gjejnë shtigje të tjera ku policia është më pak e pranishme. Banorët, të cilët gjatë verës shkojnë shpesh për të punuar në fshatrat kufitarë të Greqisë thonë se emigrantët e paligjshëm lihen të vërtiten të lirë, çka indirekt jep mesazhin se autoritetet greke nuk përpiqen ti frenojnë por I shtyjnë ata që të hyjnë në Shqipëri.
“Shkova për të punuar në verë. Andej ishte plot, vërtiteshin në rrugë dhe askush nuk i kapte. Pronari grek më tregoi se policia andej kërkon që ata të ikin nga shteti i tyre dhe të hyjnë këtej, nuk i frenojnë. Me disa madje qëlloi edhe që të komunikoja. Ata janë të vuajtur dhe ne shqiptarët e kuptojmë shumë mirë këtë gjë, se i kemi ende të freskëta eksodet tona” – thotë Fredi, një banor i Vërnikut.
Edhe pse për këta emigrantë fondet që përfitojnë shtetet ku ata qëndrojnë janë të konsiderueshme duket se askush nuk i mirëpret.
Më të paktë janë ata që qëndrojnë në kampin e emigrantëve në afërsi të Kapshticës duke kërkuar që të strehohen në Shqipëri. Por ndërsa policia është përqëndruar vazhdimisht në fshatrat kufitarë emigrantët e paligjshëm kanë gjetur shtigje të tjera. Vija kufitare është e vështirë të mbahet nën kontroll e gjitha pavarësisht se në mbështetje të Policisë Kufitare punojnë edhe forcat e Frontex, çka e pranon edhe vetë Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë.
“Fluksi i hyrjeve të paligjshme, po menaxhohet duke kryer kontrolle të pandërprera në vijën kufitare, në bashkëpunim me shërbimet e policisë së rendit dhe ato të FRONTEX-it. Monitorimi i vijës kufitare shfaq vështirësi, për shkak të shtrirjes së gjerë dhe zonave me rrisk. Shtigjet nga ku depërtojnë emigrantët, janë vendet që ndodhen afër me rrugët në zonën greke. Shërbimet e FRONTEX, kanë ofruar mbështetjen e tyre me punonjës, mjete dhe pajisje të ndryshme, gjatë zhvillimit të patrullimeve dhe operacioneve të përbashkëta në terren.” – thotë policia kufitare në përgjigjen e kërkesës për informacion.
Për ata emigrantë, të cilët arrijnë ti shpëtojnë policisë, rruga vazhdon duke kaluar nëpër fshatrat e Devollit, Korçës, Maliqit e Pogradecit me qëllim që të shkojnë drejt qendrës e shqipërisë Veriore. Pavarësisht vuajtjeve në kampet greke dhe peripecive të rrugës mes dy vendeve, përpjekja e tyre për të mbijetuar dhe për të lënë pas përjetimet e luftës, kampeve ata mbeten të pambrojtur në udhëtimin e tyre që mund të jetë fatal.
Ky artikull u prodhua në kuadër të nismës “Siguria për Qeniet Njerëzore dhe Kufijtë – Luftimi i Kontrabandës së Migrantëve në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjesi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.
