Daniela Zisi, gazetare, Korçë
Një i ri, emigrant i paligjshëm, me gjasë nga vendet e Lindjes së Mesme, u gjet i pajetë në malin e Moravës mbrëmjen e të mërkurës(8 dhjetor), në vendin e quajtur Shtegu i Venjave mbi fshatin Dishnicë.
Policia tha se ishte njoftuar për viktimën nga një grup tjetër refugjatësh që ndiqnin të njëjtën rrugë, ndërsa beson se ai kishte humbur jetën rreth tre ditë më parë për shkak të të ftohtit. Viktima besohet të jetë rreth të 30-tave dhe është ende i paidentifikuar. Ai është i dyti emigrant që humb jetën këtë vit në Korçë në kapërcimin e maleve mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë gjenden grupe të mëdha emigrantësh mes të cilëve gra dhe fëmijë, të cilët qëndrojnë të bllokuar për ditë dhe javë të tëra në qiell të hapur pa mundur dot të hyjnë në Shqipëri dhe as të kthehen pas në Greqi. Për ti shpëtuar kësaj situatë pa shpresë, ndahen në grupe më të vogla ata kalojnë kufirin grek më këmbë mes një terreni të panjohur,të vështirë dhe shpesh të rrezikshëm. Për emigrantët që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë persona që t’ju tregojnë rrugën dhe më pas do t’ju sigurojnë transportin drejt kryeqytetit, qyteteve portualë apo pikës kufitare të Muriqanit, udhëtimi nga një shtet në tjetrin për ditë dhe netë në këmbë është e vetmja aletrnativë.
Ndihmuar nga informacionet e emigrantëve të tjerë të cilët e kanë bërë shpesh këtë rrugë, emigrantët kalojnë në shtigjet që i nxjerrin në fshatrat e Devollit si Tresteniku, Kapshtica apo Vërniku dhe më pak rrahin rrugët e Arrzës dhe Dardhës.
Muhammad Abdul ndodhet prej tetë ditësh në periferi të fshatit Trestenik, në afërsi të kufirit grek. Ai ka qëndruar me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e mitur për gati një vit në kampet e Greqisë,por refuzimi i kërkesës për azil nga autoritetet,të cilat ju lanë vetëm një muaj kohë për tu larguar,e detyruan kryefamiljarin të merrte rrugën drejt Shqipërisë. “Ishim në pritje të miratimit të kërkesës për azil, por kërkesa na u refuzua. Gruan dhe tre vajzat e vogla i kam lënë në shtëpinë e një të afërmi në Greqi,vetë u nisa pêr në Shqipëri nga ku dua të gjej një mënyrë për të shkuar në Gjermani. Aty kam xhaxhanë dhe sapo të sistemohem në një punë do të marr edhe familjen. Vajza ime më e vogël ende nuk ka nisur shkollën dhe dua që ajo të ketë mundësi të shkollohet në Gjermani, sigurisht nëse do të mundemi të shkojmë”-thotë ai.
Në foto Muhammad Abdul, emigrant.
Ai tregon më tej se peripecitë si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri nuk kanë të mbaruar. “Netët po i kaloj nën një shkurre e cila më ndihmon për tu mbrojtur nga shiu,ndërsa si shtrojë më shërbejnë disa bluza që i kisha me vete në çantë.Moti është i ftohtë dhe temperaturat natën ulen nën zero gradë. Nuk kam me vete as para, as ushqime. Emigrantët e tjerë me të cilët kemi mbetur këtu më kanë ndihmuar me ushqime, sa për të shuar urinë “,-rrëfen ai.
32 vjeçari Muhammad Abdul nga Iraku ka udhëtuar në këmbë nga Greqia për në brendësi të territorit shqiptar dhe është ndaluar nga policia në dalje të qytetit të Bilishtit me 4 emigrantë të tjerë. “Kemi ecur për tre ditë nga Greqia deri në kufi.Ndaluam pak në këtë vendin ku jam tani sa të merrnim veten dhe vazhduam rrugën përmes fshatrave. Kur arritëm në qytet na ndaloi tek këmbët një makinë policie. Policët na kërkuan të hynim në makinë dhe ne nuk refuzuam pasi menduam se do të na çonin në ndonjë qendër pritëse. Pa na dhënë asnjë informacion policia na ktheu në Trestenik dhe na la afër kufirit. Tentuam të hynim në Greqi por policia nuk na lejoi. Kemi mbetur as andej as këtej. Policia shqiptare nuk na strehon në kampe por na le në mes të asgjëse,policia greke nuk na lejon të kthehemi në Greqi. Është hera e pestë që policia shqiptare më ndalon dhe më sjell prapë në kufi.Kjo nuk është e drejtë dhe as njerëzore”-,ankohet Muhammadi.
Nga dëshmitë e emigrantëve policia kufitare e ka kthyer në praktikë të zakonshme kthimin e emigrantëve të parregullt në kufirin grek, pa i strehuar në qendrën pritëse të Kapshticës, ku emigrantët akomodohen dhe ju jepet asistenca e nevojshme për jo më shumë se tri ditë, apo qendrat e kryeqytetit. Sipas emigrantëve policia kufitare nuk ia ka lehtësuar komunikimin për ti informuar mbi atë që i pret në vazhdim.
Në foto brezi kufitar Shqipëri – Greqi/ në dalje te fshatit Trestenik.
“Është e tmerrshme ta presësh natën me frikën se mos mëngjesi nuk do të gjejë më nga e ftohta apo nga egërsirat që gjenden në mes të pyllit”-,thotë një emigrant nga Irani, i cili shton se erdhi në Shpipëri duke shpresuar që do strehoej në kamp dhe më pas do gjente mundësi si shumë të tjerë të shkonte në Gjermani.
Burime të policisë kufitare sqaruan se ndaj emigrantëve të parregullt që ndalohen në territorin shqiptar janë ndjekur me rigorozitet të gjitha proçedurat që parashikon ligji. Ata janë strehuar në qendrën pritëse të Kapshticês dhe pas intervistimit janë dërguar në qendrën e azilkërkuesve në Babrru. Sa ju takon dhjetra emigrantëve të mbetur në kufirin mes dy vendeve,policia kufitare thotë se ata i janë nënshtruar proçedurave të kthimit vullnetar. Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit sqaron më tej se emigrantët që kërkojnë azil në Shqipëri shprehen gjatë intervistimit se nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri,të cilën e konsiderojnë vend tranzit. Ndërsa emigrantët që intervistohen dhe nuk kërkojnë azil,trajtohen me urdhra largimi vullnetar.
Në Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit 2019-2022 theksohet se Shqipëria ende nuk ka proçedura standarte lidhur me procesin e kthimit vullnetar të asistuar nga Shqipëria drejt vendeve të origjinës. “Në mungesë të procedurave standarte, ose të një protokolli për kthimet vullnetare të asistuara procesi fillon vetëm me një deklaratë nga individi”. Numri i kthimeve vullnetare të asistuara gjatë 5 viteve të fundit ka qenë i papërfillshëm. Shumica e atyre që janë kapur, kanë hyrë në mënyrë të parregullt përmes Greqisë si vend tranzit. Emigrantët kanë shprehur dêshirën të kthehen në Greqi por jo në vendin e tyre të origjinës “-theksohet në Planin e Veprimit 2019-2022.
Në foto qendra pritese e emigrantëve në Kapshticë
Viti 2021 shënoi rritje të ndjeshme të emigrantëve të ndaluar,të cilët u dyndën drejt Shqipërisë,prej nga ku synojnë të shkojnë në vendet e BE. Në përgjigjen e kërkesës për informacion Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë sqaroi se ndërsa nē vitin 2020 policia ka ndaluar mesatarisht rreth 133 emigrantë të parregullt në muaj, në vitin 2021 vetëm në një muaj janë ndaluar 865 persona.
Një burim i policisë kufitare, që nuk dëshiron të identifikohet, tha se rritja e ndjeshme e numrit të emigrantëve që hyjnë ilegalisht nga Greqia detyron autoritetet që t’i kthejnë pas dhe mos i dërgojnë në qendrën pritëse të Kapshticës. I njëjti burim sqaroi më tej se pranimi i tyre në qendrat pritëse do të stimulonte ardhjen e flukseve të reja migratore, të cilat po bëhen gjithmonë e më të vështira për tu mbajtur nën kontroll.
Shumica e emigrantëve që hyjnë ilegalisht nga Greqia janë nga Siria, Pakistani, Maroku, Iraku, Palestina, Afganistani, Libia dhe Algjeria,të grupmoshave nga 1 deri 55 vjeç.
Territori shqiptar gjithmonë e më tepër po konsiderohet si rruga e shpresës për qindra emigrantë që sfidojnë motin dhe çdo vështirësi tjetër duke humbur edhe jetën për të prekur vendet e BE.
Ky artikull u prodhua në kuadër të nismës “Siguria për Qeniet Njerëzore dhe Kufijtë – Luftimi i Kontrabandës së Migrantëve në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjesi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.
