Dallandyshe Xhaferri
Të dhënat zyrtare tregojnë se shifrat u dyfishuan dhe trefishuan nga hyrjet e emigrantëve të parregullt në vendin tonë sidomos nëpërmjet kufirit juglindor të Korçës në tri vitet e fundit. Në një intervistë me drejtues të kufirit dhe nga informacionet e grumbulluara në drejtorinë e Policisë Elbasan dhe Prokurorinë e këtij rrethi gjyqësor, tashmë institucionet po përballen me një veprimtari kriminale në rritje për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në një intervistë dhënë me shkrim drejtoria e Kufrit dhe Migracionit nëpërmjet zëdhënëses Erilda Bregasi sqaron të gjithë situatën në përballjen me emigracionin e paligjshëm.
Sa emigrantë nga vendet e treta keni regjistruar për hyrje në mënyrë të parregullt gjatë tri viteve të fundit?
Për vitin 2019 janë evidentuar dhe trajtuar 5632 shtetas; për vitin 2020 janë 15534 shtetas dhe për vitin 2021, nga janari deri në muajin korrik, janë 2116 migrantë të parregullt.
Ç’farë rruge përdorin kryesisht?
Këta shtetas përdorin kryesisht rrugët tokësore, pasi faktorët atmosferikë dhe lëvizja e tyre nëpërmjet rrugëve detare dhe hekurudhore paraqet vështirësi.
Keni nje procedurë standarde të referimit të rasteve të emigrantëve në mënyrë të parregullt? Një praktikë kombëtare apo ndërkombëtare? Nëse po, a mund ta kemi një kopje?
Shtetasit e huaj migrantë të parregullt, trajtohen në bazë të Ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar. Gjatë përzgjedhjes dhe intervistimit, shtetasit migrantë trajtohen me urdhër largimi vullnetar ose kërkojnë azil. Gjithashtu ata trajtohen me ushqim, veshmbathje dhe me medikamente mjekësore kur kanë nevojë.
Cilat janë periudhat e vitit që kanë më tepër fluks?
Viti që ka patur më shumë fluks është viti 2020 dhe veçanërisht muaji korrik i vitit 2020.
A keni kontakt me specialistë të emigracionit pranë zyrave të punës, a keni referuar raste atje?
Nuk kemi asnjë rast të referuar pranë zyrës të punës.
Cilat janë rrugët që përdoren më shumë për tranzit?
Nga intervistimi i shtetasve migrantë të parregullt, rezulton se ata e kanë të qartë udhëtimin e mëtejshem drejt Republikës së Shqipërisë, pasi janë të informuar nga të afërmit/të njohurit e tyre që kanë ardhur më parë në vendin tonë, se ku mund të kërkojnë azil dhe më pas të sigurojnë kalimin drejt Malit të Zi.
Transporti përkundrejt përfitimit a është i organizuar apo sporadik?
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se transporti i këtyre shtetasve kryhet nga individë të caktuar dhe jo nga grupe të strukturuara. Gjithashtu ata orientohen për të kaluar kufirin e gjelbër edhe nëpërmjet GPS të telefonit celular, ose edhe duke ndjekur linjën e tensionit të lartë Shqipëri-Greqi.
Sa persona janë referuar për dhënie ndihme në mënyre të paligjshme në Prokurori dy vitet e fundit?
Përgjatë dy viteve të fundit në Prokurori janë referuar 322 raste, me 366 autorë gjithsej. Nga të cilët 237 shtetas të arrestuar në flagrancë, 24 të ndaluar, 87 në gjendje të lirë dhe 18 të tjerë në kërkim.
Si bashkëpunoni me drejtoritë e tjera të rajoneve tranzit ku kalojnë emigrantët?
Me Drejtoritë e tjera homologe, kemi një bashkëpunim shumë të mirë në drejtim të shkëmbimit të informacioneve, mbulimit të kufirit jeshil me patrulla të përbashkëta si edhe organizimit të operacioneve të përbashkëta për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Elbasani, tranziti i emigrantëve me shumë të arrestuar
Veç Korçës që është ndalesa e parë e emigrantëve, Elbasani është rruga në të cilën kalojnë duke shfrytëzuar lëvizjen e mjeteve në rrugën kombëtare si dhe duke shfrytëzuar edhe një segment tjetër më të vështirë siç është ai Korçë-Gramsh.
Nga informacionet zyrtare viti 2020 ka pasur edhe numrin më të madh të të arrestuarve si dhe emigrantëve të parregullt të kapur nga shërbimet policiore. Drejtoria e Policisë Elbasan konfirmon se janë evidentuar 26 raste me 48 persona të proceduar për veprën penale “kalim të paligjshëm të kufinjve”. Mësohet se janë ndaluar gjatë këtyre operacioneve 164 shtetas të kombësive të ndryshme si libanezë, sirianë dhe janë dërguar në Qendrën e Pritjes së Emigrantëve në Tiranë.
Shifrat e arrestimeve për 2021 janë më të ulta por sipas të dhënave nga hetimet, mësohet se mungesa e kufizimeve e ka bërë më të lehtë lëvizjen dhe janë evidentuar më pak persona që realizojnë transportin e emigrantëve në pjesën më të madhe kundrejt fitimit. Kështu gjatë këtij viti deri në tetor janë evidentuar 11 raste me 18 autorë. Sipas të dhënave të policisë transporti kryhet kundrejt fitimit nga 100 deri në 200 Euro për person për ti dërguar ata deri në kufirin me Kosovën ose Malin e Zi. Megjithëse policia konfirmon se kjo lloj vepre penale nuk kryhet nga një grup i strukturuar nga procedimet penale për transportin e emigrantëve bashkëpunojnë dy ose më shumë persona.
Në të njëjtat shifra mbetet edhe prokuroria Elbasan sa i përket veprës penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufinjve”. Në një përgjigje të kërkesës me shkrim, institucioni i prokurorisë konfirmon se për vitin 2020 për veprën penale parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’, janë regjistruar gjithsej 31 procedime penale dhe janë dërguar për gjykim 12 procedime penale me 23 të pandehur.
Ndërkohë për vitin 2021 për veprën ‘’Ndihma per kalim te paligjshem te kufijve’’, jane regjistruar gjithsej 16 procedime penale me 17 persona nën hetim dhë është dërguar në gjykim një person.
Ky artikull u prodhua në kuadër të nismës “Siguria për Qeniet Njerëzore dhe Kufijtë – Luftimi i Kontrabandës së Migrantëve në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjesi vetëm e INAC dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.
