Zhvlerësimi i Euros dhe valutave të tjera kryesore të huaja në kursin e këmbimit me Lekun po vazhdon të ulë vlerën e depozitave bankare, të shprehur në monedhën vendase.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në 12 muajt mes qershorit 2025 dhe qershorit 2026, efekti i kursit të këmbimit i tkurri depozitat në valutë të huaj me 37 miliardë lekë, ndërsa që nga fillimi i vitit efekti ishte gjithmonë negativ, në vlerën e 25 miliardë lekëve.
I vlerësuar për tre vitet e fundit (qershor 2023-qershor 2026), efekti negativ i kursi të këmbimit mbi vlerën e depozitave, sipas Bankës së Shqipërisë, ka arritur në 128 miliardë lekë. Me kursin e sotëm, kjo vlerë përkthehet në afërsisht 1.4 miliardë euro.
Depozitat e sektorit bankar në mesin e këtij vitit arritën vlerën e 1.91 trilionë lekëve. Në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm, rritja ishte rreth 75 miliardë lekë ose 4.1% ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë rritja ishte 180 miliardë lekë ose 10.4%.
Efekti i kursit të këmbimit në ecurinë e depozitave ishte dukshëm i pranishëm. E korrigjuar për këtë efekt, rritja gjashtëmujore e depozitave do të rezultonte rreth 5.4%, ndërsa rritja vjetore e stokut total të depozitave do të ishte 12.5%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kontributet më të mëdha në rritjen nominale te vlerës së depozitave gjatë periudhës erdhën nga llogaritë rrjedhëse, depozitat e individëve dhe depozitat në lekë. Depozitat me afat, ato të bizneseve dhe depozitat e sektorit publik shfaqën gjithashtu rritje, por me ritme më të moderuara. Rreth gjysma e rritjes vjetore të depozitave u përqendrua në tre muaj të veçantë, gusht 2025, dhjetor 2025 dhe janar 2026. Kjo ecuri sugjeron ndikim të faktorëve sezonalë në dinamikën e depozitave.
Struktura e depozitave mbeti përgjithësisht e qëndrueshme gjatë periudhës. Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat përbëjnë përkatësisht 45% dhe 43% të stokut total të depozitave, ndërsa depozitat e individëve dhe ato në valutë përfaqësojnë përkatësisht rreth 78% dhe 50% të totalit. Kontributin kryesor në rritjen e depozitave e kanë dhënë depozitat në Lekë. Depozitat në Lekë u rritën me 6% gjatë 6-mujorit 2026 dhe me rreth 13% në terma vjetorë. Të njëjtët tregues për depozitat në valutë ishin përkatësisht 2.2% dhe 7.9%.
Në vlerë absolute, gjatë 6-mujorit depozitat në Lekë u zgjeruan me rreth 54 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë me rreth 21 miliardë lekë; krahasuar me një vit më parë, rritja ishte përkatësisht rreth 110 miliardë lekë dhe 70 miliardë lekë.
Depozitat me afat u zgjeruan me rreth 6.5% në terma vjetorë. Llogaritë rrjedhëse që mbahen kryesisht nga bizneset dhe pasqyrojnë edhe ecurinë e kredisë gjatë periudhës, u rritën me 5.3% gjatë gjysmës së parë të vitit dhe me 14.5% kundrejt një viti më parë. Stoku i depozitave pa afat ruajti një nivel të pandryshuar gjatë periudhës dhe u rrit me rreth 3% ndaj një viti më parë.
Ne rritjen e depozitave në Lekë, kontributin kryesor e dhanë rritja e llogarive rrjedhëse dhe ajo e depozitave me afat të individëve.
Në fund të periudhës, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat të individëve në Lekë shënonin përkatësisht 300 dhe 380 miliardë lekë, duke qenë 17.3% dhe 6.8% mbi nivelin e një viti më parë.
Depozitat pa afat në Lekë u zgjeruan me 5.3% ndaj periudhës dhe me 14.2% ndaj një viti më parë, ndërsa depozitat me afat në Lekë u rritën me 3.5% gjatë periudhës dhe me 7% në terma vjetorë. Pothuajse i gjithë stoku prej 410 miliardë lekësh i depozitave me afat në Lekë përfaqësohet nga depozitat e individëve, të cilat në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë u zgjeruan me përkatësisht 3.2% dhe 6.8%.
Depozitat në Euro u rritën në terma vjetore me 13.5%. Rritjet në depozitat në Euro të individëve dhe të bizneseve ishin përkatësisht 22% (ku për depozitat me afat në Euro rritja ishte 11%) dhe 12%.
Gjatë periudhës, depozitat në Euro të individëve u shtuan me rreth 340 milionë euro, ndërsa ato të bizneseve u rritën me 125 milionë euro. Gjatë së njëjtës periudhë një vit më parë, shtesat përkatëse ishin 530 dhe 36 milionë euro. Kjo ecuri sugjeron se gjatë periudhës ritmi i zgjerimit të depozitave në valutë të individëve ishte më i moderuar, por ai i rritjes së depozitave në valutë të bizneseve ishte dukshëm më i fortë.
Normat e interesit për depozitat mbetën përgjithësisht të qëndrueshme gjatë periudhës, ndërsa flukset mesatare mujore te depozitave të reja të individëve shfaqën rënie.
Në mesin e këtij viti, normat e ponderuara të interesit për depozitat e reja me afat të bizneseve dhe individëve në Lekë rezultuan përkatësisht 2.2% dhe 1.6%, ndërsa për depozitat e reja me afat në Euro, për të dy segmentet e klientëve, norma e ofruar nga bankat ishte rreth 1.5%.
Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, këto norma shfaqën ndryshime të papërfillshme. Edhe normat e interesit për stokun e depozitave mbetën pothuajse të pandryshuara. Për depozitat me afat të individëve në Lekë, normat për maturitetet nën dhe mbi dy vjet rezultuan përkatësisht 1.6% dhe 3.2%, ndërsa për depozitat në Euro 1.2% dhe 2.2%./Monitor




