Senatoret italiane shkojnë me MINIFUNDE në Parlament, arsyeja do t’ju befasojë!

Njëmbëdhjetë senatore nga Partia Demokratike (PD), Italia Viva dhe Aleanca e të Gjelbërve dhe të Majtës (AVS) u paraqitën në Senatin italian me minifunde, duke e kthyer veshjen e tyre në një protestë politike ndaj zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani. Protesta në Palazzo Madama vjen pas polemikave që shkaktuan deklaratat e kreut të Forza Italia për gratë, besnikërinë në martesë dhe mënyrën e veshjes.

Tajani i kishte bërë komentet gjatë aktivitetit politik “Itaca” në Formello, ku po fliste për zgjedhjet dhe stabilitetin e aleancave politike. Për të shpjeguar argumentin e tij, ai përdori shembullin e këshillës që do t’i jepte të birit për zgjedhjen e gruas me të cilën do të martohej. Në ndërhyrjen që më pas u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, Tajani tha se, nëse djali i tij do t’i kërkonte këshillë, ai do t’i sugjeronte të shihte përtej pamjes së jashtme dhe të zgjidhte një grua që e konsideronte më të besueshme dhe serioze.

“Po të më kërkonte im bir një këshillë se me çfarë vajze duhet të martohej, do t’i thosha të shihte karakterin. Është bukur të martohesh me një vajzë tërheqëse, por çfarë karakteri ka? Pastaj mund të jetë një vajzë më pak e dukshme, por më e besueshme, më serioze, që do të jetë një nënë e mirë dhe do t’i qëndrojë besnike dashurisë së premtuar në martesë. Atëherë do t’i thosha tim biri: zgjidh të dytën”, ishte në thelb argumenti i Tajani.

Polemikat u përqendruan veçanërisht te lidhja që ministri bëri mes pamjes së një gruaje, gjatësisë së fundit dhe besnikërisë së saj. Tajani foli për një grua “më pak të dukshme”, ndërsa në vazhdim të argumentit iu referua edhe asaj “që ndoshta mban funde pak më të gjata”. Deklaratat u interpretuan nga kundërshtarët politikë si përdorim i stereotipeve për gratë dhe rolin e tyre në familje. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagime nga përfaqësuese të disa forcave politike italiane.

Këtë herë reagimi kaloi nga deklaratat politike te një protestë simbolike brenda Parlamentit: 11 senatoret e PD-së, Italia Viva dhe AVS zgjodhën të shkonin në Palazzo Madama me minifunde. Mesazhi i protestës lidhet drejtpërdrejt me referencën e Tajani për gjatësinë e fundit dhe me kundërshtimin e idesë se mënyra e veshjes mund të përdoret si tregues i karakterit ose besnikërisë së një gruaje. Polemika kishte marrë përmasa kombëtare edhe përpara protestës në Senat. Ish-kryetarja e Bashkisë së Torinos dhe politikania e Lëvizjes 5 Yjet, Chiara Appendino, publikoi një fotografi të saj me minifund dhe iu drejtua drejtpërdrejt Tajani.

Appendino e pyeti nëse veshja e bënte atë më pak të besueshme apo më pak të përshtatshme si nënë dhe argumentoi se besueshmëria e një gruaje “nuk matet me centimetra pëlhure”. Ajo bëri thirrje që politika italiane të “dalë nga Mesjeta”. Edhe Maria Elena Boschi e Italia Viva reagoi ndaj deklaratave, duke ironizuar nëse hapi i ardhshëm do të ishte një rregull për gjatësinë e fundeve në shkolla, në vendet e punës dhe në Parlament.

Kritikat erdhën gjithashtu nga PD. Senatore të opozitës i cilësuan deklaratat si shprehje të stereotipeve për gratë dhe kundërshtuan paraqitjen e gruas kryesisht përmes rolit të saj si bashkëshorte, nënë dhe garante e stabilitetit familjar. Pas zgjerimit të polemikave, Tajani kërkoi ndjesë nga Nju Jorku, ku ndodhej për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.