Pas adresimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, për të nënshkruar një marrëveshje kuadër për sigurinë. Përmes këtij pakti, i cili përditëson marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951, SHBA-të synojnë të forcojnë praninë ushtarake në ishull përmes ndërtimit të dy bazave të reja strategjike, duke adresuar shqetësimet e Uashingtonit për ndikimin e fuqive rivale në rajonin e Arktikut.
Kryeministrja daneze Frederiksen nënvizoi se dokumenti respekton të drejtat e brendshme të Danimarkës dhe sovranitetin e Groenlandës, ndërsa kreu i qeverisë së Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e cilësoi marrëveshjen si një fitore të dyanshme që rikonfirmon rolin e territorit autonom si aleat i palëkundur i SHBA-së dhe Aleancës Perëndimore. Ndërkaq, Presidenti Trump u mjaftua me vlerësimin e paktit si një dakordësi për marrëdhënie afatgjata, duke shmangur pyetjet e gazetarëve lidhur me propozimin e tij të mëparshëm për blerjen e mundshme të Groenlandës.




