Merret vendimi, Bordi i Transparencës vendos sa do të shitet nafta dhe benzina në vend

TIRANË- Bordi i Transparencës ka marrë ditën e sotme vendimin për çmimin e naftës dhe benzinës në vend. Ai vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 201 lekë/litër.

Njëkohësisht, çmimi i shitjes me pakicë i benzinës i standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër, ndërsa benzina e standardit SSH EN do të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër. Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e sotme në orën 12:00 dhe do të jetë i vlefshëm deri mbledhjen e ardhshme të bordit.

Njoftimi i Plotë:

“Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e dytë.

Kështu Bordi i Transparencës në datë 22 Shtator 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 201 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 22 ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.