Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas aksionit të SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ndërsa lëshoi masë sigurie “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Blushi thotë se ky është një “skandal që kërkon reagim të fuqishëm kombëtar”.
Tedi Blushi: Shporrja e Edi Ramës është më shumë se kurrë emergjencë kombëtare. Shteti ka rënë! Siguria kombëtare ka rënë!
SHISH dhe Policia në duart e Gysit dhe Mbrojtja në duart e Ronit është zyrtarizim i kapjes së shtetit në çdo qelizë nga mafia!
Skandal i përmasave të jashtëzakonshme që kërkon reagim të fuqishëm kombëtar! Mafia ka sot shtetin e vet, por shteti duhet t’u kthehet shqiptarëve! Me çdo çmim!
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi gjithashtu pas raportimeve për masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe kontrollet në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku e cilëson këtë zhvillim si dëshmi të kalbëzimit të shtetit nga brenda dhe kërkon që Presidenti i Republikës të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Deputetja thekson se këto raportime vijnë vetëm një ditë pas asaj që ajo e quan “spektakli propagandistik” i ministrit të Brendshëm. Sipas saj, dyshimet që prekin drejtuesit e institucioneve të sigurisë kërkojnë përgjigje të menjëhershme mbi funksionimin e shtetit dhe mbrojtjen e informacionit shtetëror.
Tabaku ia ngarkon përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se ai ka zgjedhur dhe promovuar drejtuesit e këtyre institucioneve. “Bie fasada. Del sistemi”, shkruhet në imazhin që shoqëron reagimin e saj.
Sipas deputetes demokrate, çdo zhvillim i ri zbulon më tej lidhjet mes pushtetit, korrupsionit dhe interesave kriminale. Ajo kërkon që drejtësia të vijojë punën pa pengesa dhe pa mbrojtje politike për personat nën hetim.
Në përfundim, Tabaku bën thirrje për largimin e qeverisë, duke e konsideruar ndryshimin politik të domosdoshëm për shkëputjen nga një sistem që, sipas saj, varfëron shqiptarët dhe pasuron një pakicë të lidhur me pushtetin.




