Një gjykatë siriane ka dënuar këtë të martë me vdekje në mungesë ish-presidentin Bashar al-Assad dhe vëllain e tij, Maher al-Assad, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konfliktit 14-vjeçar në Siri.
Në të njëjtin proces me vdekje u dënua edhe kushëriri i tyre, Atef Najib, i cili ishte i pranishëm në gjykatë. Najib u shpall fajtor për drejtimin e shtypjes së protestave në provincën Daraa në vitin 2011, ngjarje që shënuan fillimin e kryengritjes dhe më pas të luftës civile.
Bashar dhe Maher al-Assad u larguan drejt Rusisë në dhjetor 2024, pasi forcat opozitare të udhëhequra nga Ahmed al-Sharaa morën Damaskun dhe i dhanë fund regjimit të Assadit.
Najib, ish-gjeneral brigade dhe ish-kreu i Degës së Sigurisë Politike në Daraa, u arrestua më vonë dhe u bë një nga zyrtarët më të lartë të regjimit të Assadit që u përball me drejtësinë.
Lufta në Siri ka shkaktuar rreth gjysmë milioni viktima dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.




