Rama ironizon me flamingon në ditëlindjen e tij: Faleminderit për urimet, edhe ata që më urrejnë janë prova që nuk po jetoj kot

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale për të përcjellë një mesazh falënderimi në ditën e tij të lindjes, duke iu përgjigjur kështu vëmendjes së gjerë publike. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, kreu i qeverisë u është drejtuar si mbështetësve, ashtu edhe kritikëve të tij më të ashpër.

Për të shoqëruar mesazhin, kryeministri ka publikuar një imazh të gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, ku shfaqet i veshur me një kostum në nuancë rozë, në krah të një shpendi flamingo dhe me kokën e ulur. Në tekstin e tij, përveç mirënjohjes për mesazhet e shumta të urimit, Rama nuk ka kursyer as ironinë ndaj komentuesve kritikë, duke u shprehur se “urrejtësit besnikë” janë prova më e sigurt që ai nuk po jeton kot.

“FALEMINDERIT për urimet e panumërta për ditëlindjen, e pamundur t’u përgjigjem të gjithave, dhe prandaj po jua përcjell këtu falënderimin, bashkë me ndjesën e mospërgjigjes në telefon”, shkruan kryeministri në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, duke vënë në dukje pamundësinë e reagimit individual ndaj çdo komunikimi të mbërritur në drejtim të tij.