Mbrëmë shoqërova mbesën time në mbrëmjen e maturës. Si pedagoge, si nënë, si njeri që jetën e ka lidhur me rritjen e këtij brezi, u nisa me zemrën plot gëzim për të parë agimin e rinisë së tyre. Por ajo që pashë nuk ishte agim. Ishte një perëndim i dhimbshëm i thjeshtësisë, një paradë butaforike ku njeriu humbiste nën peshën e rrobës dhe ku vlera matej me zhurmën e motorit.
Rrugët u mbytën nga Lamborghini, Porsche e kamioneta luksoze që hungërinin si për të mbytur zërin e arsyes. Për disa orë, qyteti u kthye në një arenë të çmendur konkurrence, ku të rinjtë nuk po festonin mbylljen e një cikli dijesh, por po bënin “sikur”. Sikur janë të pasur, sikur janë të lumtur, sikur kjo botë e plastikës dhe e xhamave të zinj është jeta që i pret.
Më pikoi shpirti. Mu rëndua frymëmarrja teksa shihja këtë tjetërsim, këtë “tërbim” luksi të tepërt që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e familjeve tona.
Kostoja e një Iluzioni
Pas çdo fustani që kalon gjysmë milioni lekë, pas çdo parukerie që fshin brenda pak orësh djersën e një muaji, pas çdo darke e seti fotografik, qëndron një dramë e heshtur. Shumica e familjeve tona janë të thjeshta, jetojnë me vështirësi. Por prindërit, të gjendur nën presionin e egër të kësaj mode të shpifur, zbrazin xhepat, hyjnë në borxhe dhe bëjnë sakrifica mbinjerëzore vetëm që fëmija i tyre të mos ndihet “më pak” se të tjerët në këtë teatër absurd.
Teksa shihja atë luks të rremë, sytë mu mbushën me lot dhe mu kujtua babi im i shtrenjtë… Më erdhi në mendje mbrëmja ime e maturës. Im atë punonte në dy punë,dhe si im atë dhe plot të tjerë prindër , sakrifikonte shumë vetëm që mua të mos më mungonte asgjë. Nuk kishte tangërllik, nuk kishte mburrje. Kishte klasin e thjeshtësisë, atë që sot po e varrosim nën rrotat e makinave të shtrenjta.
Çfarë modeli po u ofrojmë?
Në vend që t’u mësojmë të rinjve jetën e vërtetë, në vend që t’u dhurojmë modele të thjeshtësisë, dijes dhe vlerave të paluajtshme, ne po i ushqejmë me një iluzion të rrezikshëm. Po u thonë se vlen aq sa kushton makina që të sjell në festë. Po i nisim drejt jetës me një busull të thyer.
Të dashur prindër, të dashur miq, e dashur shoqëri:
Ndaloni këtë çmenduri! Bukuria e një vajze apo e një djaloshi 18-vjeçar qëndron te shkëlqimi i syve, te pastërtia e moshës, te librat që ka lexuar dhe te ëndrrat që mbart në kokë, jo te marka e fustanit apo te marka e makinës.
Le t’u kthejmë fëmijëve tanë klasin e vërtetë, atë të shpirtit dhe të mendjes. Sepse kur dritat e asaj mbrëmjeje të fiken dhe makinat e marra me qira të largohen, mbetet vetëm jeta.
Dhe jeta e vërtetë nuk pranon dot butafori…..




