Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria është rikthyer në qendër të vëmendjes së pingpongut rajonal, duke mirëpritur edicionin e 33-të të Kampionatit Ballkanik. Ky aktivitet i rëndësishëm po zhvillohet në qytetin e Elbasanit nga data 24 deri më 28 qershor, ku marrin pjesë 13 ekipe nga mbarë Ballkani, me një total prej 150 sportistësh dhe zyrtarësh. Vendi ynë përfaqësohet në këtë garë me delegacionin më të madh, i përbërë nga 22 sportistë, ndërsa ky edicion shënon një rekord historik me numrin më të lartë të skuadrave pjesëmarrëse. Gjatë ceremonisë hapëse, krerët e sportit shqiptar dhe atij ballkanik vlerësuan maksimalisht rëndësinë e organizimit të këtij eventi në Shqipëri.
Sipas Presidentit të KOKSH Fidel Ylli dhe presidentit të FSHPP, Krenar Dila besimi i treguar nga institucionet sportive ballkanike për t’i besuar Shqipërisë këtë kampionat është një tregues i qartë i rritjes sonë organizative, si dhe një platformë e shkëlqyer për promovimin e këtij sporti dhe rritjen e nivelit të lojtarëve shqiptarë.
“Çdo gjë është perfekte këtu dhe jam shumë i lumtur që pas 11 vitesh jemi sërish në Shqipëri. Janë 13 shtete dhe ky është maksimumi në histori, ndaj është një eveniment i veçantë. Kam një falënderim për gjithë këtë organizim që po bëhet në qytetin e Elbasanit dhe jam i bindur se çdo gjë do të shkojë mirë, shprehet Miloard Trpkovski Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Pingpongut.
Nën një atmosferë të ngrohtë dhe festive në qytetin e Elbasanit, garat zyrtare kanë nisur tashmë me dy synime kryesore: shpalljen e kampionëve të rinj të rajonit dhe forcimin e mëtejshëm të urave të bashkëpunimit sportiv mes vendeve të Ballkanit.




