Në orën 10:00 kryeministri Edi Rama do të mbajë një konferencë për media ku do të japë shpjegime për situatën e krijuar ditëve të fundit në Zvërnec si dhe për të sqaruar aludimet.
Protestat që kundërshtojnë ndërtimin e resortit në zonën e mbrojtur janë rritur ndërsa e pajustifikueshme mbetet dhuna që një grup rojesh private të ‘Major Security’ kanë ushtruar ndaj qytetarëve, të cilët po protestonin.
Në reagimin publik, Rama shkroi se tashmë është radha e tij për të folur për “projektin e jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, i planifikuar për tu jetëzuar në zonën e Zvërnecit. Ai gjithashtu përgëzoi dhe kryepolicin Skënder Hita për faktin që pezulloi drejtorin e policisë së Vlorës, si dhe për vënien nën hetim të zinxhirit komandues të bluve në qytetin bregdetar, pas indiferencës që treguan teksa para syve të tyre disa roje private dhunonin protestues.




