Sot në orën 10:00, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të mbahen homazhet në nder të Birçe Haskos, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, një prej emrave më të dashur dhe të vlerësuar të skenës dhe ekranit u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai ishte mjeshtri i roleve dytësore duke i dhënë një dimension të ri karakterit dhe situatave.
Milo Tafani te “Shi në Plazh”, ishte roli më i realizuar i mjeshtrit të madh Birçe Hasko, në mesin e interpretimit të mbi 12 roleve në teatër.
Janë me dhjetëra rolet e realizuara mjeshtërisht prej tij, te të cilat solli karakterin popullor të jugut, duke e bërë të paharrueshëm për publikun shqiptar, aktorin e lindur më 15 mars të 1942 në Dukat të Vlorës, të ndarë nga jeta këtë të shtunë në moshën 84-vjeçare.
Birçe Hasko njihej për natyrën e veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe karakteret fshatarake i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një lojë origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku edhe në role dytësore ndërtonte personazhe të gjalla, me origjinalitet dhe shprehje të fortë skenike. Fizionomia e tij shprehëse, reagimet spontane, dhe mënyra karakteristike e të folurit e bënin interpretimin e tij të pazëvendësueshëm.
Rruga e tij drejt artit nuk nisi menjëherë në skenë. Në vitin 1961 ai përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”, duke zgjedhur fillimisht profesionin e mësuesit.
Në vitin 1965 ai hyri në Institutin e Lartë të Arteve, ku studioi për aktrim deri në vitin 1969. Që nga përfundimi i studimeve dhe për dekada me radhë, ai u bë pjesë e jetës akademike të institucionit, duke punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Në periudhën 1989–1994 mbajti edhe detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik.
Më 13 nëntor 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1995 mori titullin universitar “Profesor”, ndërsa më vonë u nderua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”.













