Transplantet e veshkës mbeten monopol i privatit, shteti financon milionat ndërsa QSUT s’ofron dot shërbimet

Një sërë shërbimesh dhe ndërhyrjesh mjekësore vijojnë të mos ofrohen prej vitesh në spitalet publike, përfshirë këtu edhe në QSUT dhe për to buxheti i shtetit vijon të financojë me pagesa të majme dhe të sigurta spitalet private, që duket se kanë ekskluzivitetin e këtyre trajtimeve.

Paketa e dializës dhe ajo e transplantit renal vijojnë të mbeten ndër shërbimet më të specializuara dhe më të kushtueshme që financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa të dhënat e vitit 2025 tregojnë se pesha kryesore e transplanteve të veshkës vazhdon të mbulohet nga spitalet private.

Sipas të dhënave nga FSDKSH, gjatë vitit 2025 u kryen gjithsej 15 transplante të veshkës, nga 14 që ishin realizuar në vitin 2024, duke shënuar një rritje të lehtë të ndërhyrjeve. Nga këto, 9 transplante renale janë kryer në spitalin jopublik “Hygeia”, ndërsa 6 transplante janë realizuar në spitalin jopublik “Amerikan”.

FSDKSH pranon “e zeza mbi të bardhë” se ende nuk ofrohet paketa e transplantit të veshkës dhe as terapia e flakjes akute të veshkës në spitalet publike, çka do të thotë se pacientët që kanë nevojë për këto procedura vijojnë të trajtohen vetëm në spitalet private, të kontraktuara nga Fondi.

Përveç transplanteve, gjatë vitit 2025 është realizuar edhe 1 procedurë e terapisë së flakjes akute të veshkës, e kryer në spitalin “Amerikan”.

Paketa e lidhur drejtpërdrejt me pacientët e dializës është gjithashtu ajo e vendosjes së fistulës dhe graftit, procedura që mundësojnë kryerjen e hemodializës. Kjo paketë është ofruar si nga QSUT, ashtu edhe nga spitalet private “Amerikan 1”, “Hygeia” dhe “Salus”.

Transplantet e veshkës mbeten monopol i privatit, shteti financon milionat

Gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 164 vendosje fistulash për pacientët në dializë. Peshën më të madhe e mbajti Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me 66 procedura, e ndjekur nga “Hygeia” me 50 procedura dhe spitali “Amerikan” me 41 procedura. Ndërkohë, spitali “Salus” realizoi 7 procedura të tilla.

Ndërkohë, janë vendosur te pacientët e dializës në vitin 2025 gjithsej 27 grafte, nga të cilat 7 vendosje grafti në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, 9 vendosje grafti në spitalin jopublik “Amerikan”, 9 vendosje grafti në spitalin jopublik “Hygeia” dhe 2 vendosje grafti në spitalin jopublik “Salus”.

Të dhënat tregojnë se, edhe pse QSUT mban peshë për procedurat mbështetëse për pacientët e dializës, siç është vendosja e fistulës, ndërhyrjet më të avancuara si transplantet renale vazhdojnë të kryhen tërësisht në sektorin privat të kontraktuar nga shteti./ekofin.al