Mjekët zbulojnë organin që plaket më shpejt në trup dhe sinjalet që nuk duhet t’i injoroni?

Trupi i njeriut nuk është një makinë, por sipas specialistëve, ndonjëherë krahasimi me një automjet mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë shëndetin tonë. Ashtu siç një makinë ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, edhe organet e trupit kërkojnë kujdes para se problemet të bëhen serioze.

“Ju nuk do të prisnit që motori të fillonte të nxirrte tym përpara se të bënit ndërrimin e vajit, apo jo? E njëjta gjë vlen edhe për organet tuaja”, shpjegon Dr. Mutahar Ahmed, drejtor i Qendrës për Kancerin e Fshikëzës në “Hackensack University Medical Center”.

Sipas mjekëve, jo të gjitha organet plaken me të njëjtin ritëm. Një studim britanik i vitit 2023 me mbi 5,500 persona tregoi se gati 20% e tyre kishin të paktën një organ që po plakej më shpejt se normalisht.

Ekspertët thonë se organi që plaket më shpejt janë veshkat.

“Veshkat janë sistemi kryesor i filtrimit të trupit, duke pastruar rreth 50 galonë gjak çdo ditë”, shpjegon Dr. David A. Taub.

Sipas tij, veshkat largojnë toksinat dhe lëngjet e tepërta, balancojnë minerale të rëndësishme si natriumi dhe kaliumi, ndihmojnë në kontrollin e tensionit të gjakut dhe prodhojnë hormone të rëndësishme për organizmin.

Mjekët tregojnë se veshkat janë ndër organet më aktive metabolikisht në trup dhe punojnë vazhdimisht pa pushim, çka i bën më të ekspozuara ndaj dëmtimit dhe plakjes së përshpejtuar.

“Çdo ditë, veshkat filtrojnë të gjithë furnizimin me gjak dhjetëra herë, duke ekspozuar strukturat e tyre delikate ndaj toksinave, ndryshimeve të tensionit të gjakut dhe stresit oksidativ”, shton Dr. Taub.

Një tjetër faktor i rëndësishëm janë problemet si tensioni i lartë, diabeti dhe obeziteti, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e veshkave.

Ekspertët paralajmërojnë se dëmtimi i veshkave shpesh zhvillohet në heshtje, pa simptoma të dukshme në fazat e para.

“As plakja normale e veshkave dhe as sëmundjet e tyre nuk japin gjithmonë shenja”,shpjegon Dr. Samir Parikh.

Megjithatë, kur funksioni i tyre fillon të bjerë, mund të shfaqen simptoma si:

-lodhje dhe vështirësi në përqendrim;

-probleme me gjumin;

-lëkurë e thatë dhe kruarje;

-urinim më i shpeshtë, sidomos gjatë natës;

-ënjtje në këmbë dhe kyçe.

Sipas specialistëve, lajmi i mirë është se plakja e veshkave mund të ngadalësohet ndjeshëm përmes stilit të jetesës.

Mjekët rekomandojnë kontrollin e tensionit dhe sheqerit në gjak, pasi hipertensioni dhe diabeti janë ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve të veshkave.

Po ashtu, këshillohet ushqyerja e shëndetshme me dieta si ajo mesdhetare apo DASH, të pasura me fruta, perime, drithëra integrale dhe bishtajore. Një rol të rëndësishëm luan edhe hidratimi.

“Pirja e ujit në sasi të mjaftueshme ndihmon veshkat të largojnë natriumin dhe toksinat nga trupi”, thotë Dr. Ahmed, i cili rekomandon rreth 1.5 deri në 2 litra ujë në ditë, në varësi të nevojave individuale.

Specialistët theksojnë se kujdesi i hershëm dhe kontrollet e rregullta mund të bëjnë diferencë të madhe në ruajtjen e shëndetit të veshkave dhe ngadalësimin e plakjes së tyre. /TAR/