Në Peqin u zhvillua një aksion pastrimi dhe rikuperimi i hapësirave publike në Parkun e Pishave, me nismën e nënkryetares së bashkisë Ilda Sallufi. Kjo nismë erdhi pas takimit me grupin e të rinjve “Zëri im, Politika ime”, të cilët ngritën shqetësimin për mirëmbajtjen e hapësirave publike në qytet.
Në aktivitet morën pjesë nxënës të shkollave të mesme dhe punonjës të bashkisë, të cilët kontribuan në pastrimin e Parkut të Pishave, një nga hapësirat më të rëndësishme rekreative për banorët e Peqinit. Ky park shërben si vend për aktivitete sportive, shëtitje dhe piknik në natyrë.
Përfaqësuesit e bashkisë theksuan se mbështetja e nismave rinore dhe përmirësimi i hapësirave publike mbeten prioritet, ndërsa fushata për pastrimin dhe rikuperimin e ambienteve publike do të vijojë me angazhimin e vazhdueshëm të bashkisë dhe të rinjve duke i bërë hapësirat publike më të pastra dhe më të sigurta.
















