TIRANË- Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, që do të përafrojë plotësisht legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian (BE).
Ligji i ri do të sjellë ndryshime shumë të rëndësishme, por megjithatë shumica e tyre do të hyjnë në fuqi vetëm pas anëtarësimit të plotë në BE. Projektligji parashikon rritjen, në mënyrë thelbësore, të limitit të përgjegjësisë ose vlerën limit që kompanitë duhet paguajnë për ngjarje sigurimi dhe person të dëmtuar.
Kufiri minimal i përgjegjësisë, që do të mbulohet nga kontrata e sigurimit nuk mund të jetë më i ulët se 6.45 milionë euro (ose vlera ekuivalente në Lek), për çdo aksident, pavarësisht numrit të palëve të dëmtuara ose 1.3 milionë euro (ose vlera ekuivalente në Lek), për çdo person të dëmtuar.
Kjo do të shënojë një rritje shumë të madhe në raport me limitet që përcakton ligji aktual. Sipas ligjit në fuqi, limiti aktual i përgjegjësisë është përkatësisht 150 milionë lekë për autobusët dhe kamionët, 200 milionë lekë për mjetet që transportojnë lëndë të rrezikshme dhe 55 milionë lekë për të gjitha mjetet e tjera. Ndërsa, kufiri i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në një ngjarje sigurimi është 22 milionë lekë.
Megjithëse limitet përfundimtare që parashikon ligji i ri do të hyjnë në fuqi vetëm pas anëtarësimit në BE, pritet që, duke filluar nga viti 2027, të aplikohen gjithsesi rritje mbi nivelet aktuale të limiteve të përgjegjësive, për ta bërë më gradual përafrimin me nivelet e Bashkimit Europian. Limitet e ndërmjetme të përgjegjësive priten të përcaktohen në përfundim të procesit të konsultimit të projektligjit.
Projektligji përcakton gjithashtu se kontrata e sigurimit të përgjegjësisë së përdoruesit të mjetit motorik për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti duhet të mbulojë, mbi bazën e një primi të vetëm dhe gjatë gjithë afatit të kontratës, të gjithë territorin e Bashkimit Europian, përfshirë çdo periudhë gjatë së cilës mjeti qëndron në shtete të tjera anëtare dhe të garantojë, mbi bazën e primit të vetëm, në çdo shtet anëtar, mbulimin e kërkuar nga legjislacioni i tij ose mbulimin e kërkuar nga legjislacioni i shtetit anëtar ku mjeti ka vendqëndrimin e zakonshëm, kur ky mbulim është më i lartë.
Rritja e limiteve të përgjegjësive dhe zgjerimi i zonës së mbulimit në rast dëmi do të sjellin kuptueshëm një rritje të fortë të primit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve, sepse ai do mbulojë edhe përgjegjësitë për dëmet që mund të shkaktohen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Polica e sigurimit TPL do të kryejë njëkohësisht edhe funksionet që kryen sot kontrata e Kartonit Jeshil. Edhe ky ndryshim do të hyjë në fuqi në momentin e anëtarësimit të plotë në BE.
Projektligji përcakton se shoqëria e sigurimit mund të përdorë sisteme elektronike për lidhjen e kontratave të sigurimit me konsumatorët, në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës.
Lidhja e kontratës së sigurimit me mjete elektronike do të konsiderohet njëlloj e vlefshme me lidhjen me shkrim, nëse konsumatori ka konfirmuar kuptimin e të gjithë informacionit dhe ka pranuar kontratën e sigurimit. Ky ndryshim parashikohet të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të ligjit dhe nuk do të jetë i kushtëzuar nga hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian.













