Barazim mes Egnatias dhe Elbasanit, gjithçka vendoset në ndeshjen e kthimit

RROGOZHINË – Egnatia dhe Elbasani kanë lënë të hapur garën për një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi ndeshja e parë gjysmëfinale është mbyllur në barazim 1-1.

Sfida e zhvilluar në Rrogozhinë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste të shumta, kryesisht në pjesën e parë, ku u shënuan edhe të dy golat e takimit. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 5-të me Sotën, i cili realizoi me kokë pas një goditjeje këndi.

Reagimi i Elbasanit erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Ze Gomesh shfrytëzoi një kundërsulm dhe dërgoi topin në rrjetë në minutën e 44-t, pas një verifikimi të gjatë nga sistemi VAR për pozicion të mundshëm jashtë loje.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat treguan më shumë kujdes në mbrojtje, duke shmangur rreziqet dhe administruar rezultatin, çka bëri që takimi të përfundonte pa ndryshim shifrash.

Me këtë barazim, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të përcaktojë ekipin finalist të Kupës së Shqipërisë.