Berisha: Përgjysmim urgjent i taksave mbi naftën dhe kompensim për pensionistët dhe biznesin e vogël

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot ulje urgjente të taksave mbi litrin e naftës dhe kompensim për shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla, gjatë një deklarate për median.

Berisha theksoi se taksat mbi naftën në Shqipëri janë rreth 60% të çmimit të shitjes, niveli më i lartë në botë, ndërsa në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, niveli i taksimit është pothuajse gjysmë i asaj që aplikohet në Shqipëri. Ai kritikoi qeverinë për mungesën e uljeve dhe për të ardhurat e akumuluara prej 80 milionë eurosh nga rritja e çmimit të naftës nga 170 në 220 lekë për litër, të cilat sipas tij nuk janë shpërndarë për pensionistët apo qytetarët.

“Përveç përgjysmimit të barrës fiskale mbi naftën, është e domosdoshme që shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla të marrin kompensimin e tyre, për të amortizuar pasojat e rritjes së çmimeve, për të mbështetur pensionistët dhe për të parandaluar falimentimin e bizneseve të vogla,” tha Berisha.

Ai konsideroi këtë masë si të domosdoshme për të lehtësuar ndikimin ekonomik të çmimeve të larta të karburantit mbi familjet dhe ekonominë e vogël.

“Në këtë kuadër, është e domosdoshme së pari dhe njëherë përgjysmimi i ngarkesës fiskale, ose ulja e ngarkesës fiskale për litrin e naftës në nivelin e vendeve përreth, në nivelin që e ka sot Maqedonia dhe Kosova, nivel që është pothuajse 50 përqind më i ulët se sa në Shqipëri. Çdo manovër tjetër është absolutisht inefikase dhe është totalisht në favor të arkës së qeverisë.
Gjer sot qeveria nuk ka asnjë ulje sepse ka vendosur nivelin 220, por problemi është se nga rritja e çmimit të naftës nga 170 në 220, qeveria akumulon rreth 80 milionë euro në vit. Asnjë qindarkë e tyre nuk është shpërndarë as për pensionistët, as për qytetarët. Kështu që krahas përgjysmimit të nivelit të taksimit të litrit të naftës, e domosdoshme kjo, nuk ka një vend në botë, nuk ekziston asnjë vend tjetër në botë që të ketë taksuar litrin e naftës 60 përqind të çmimit me të cilin shitet. Ky është niveli më i lartë në botë i taksave për litrin e naftës. Prandaj ulja me urgjencë e kësaj barre fiskale është e domosdoshme për të parandaluar sadopak, për të amortizuar sadopak pasojat shumë të rënda të efekteve të rritjes së çmimit të naftës. Përveç kësaj, është e domosdoshme që shtresat në nevojë, bizneset e vogla të marrin kompensimin e tyre për rritjen e çmimit të naftës, një kompensim i cili i mbron, u jep mundësive pensionistëve të vazhdojnë jetën e tyre dhe u jep mundësi bizneseve të vogla që të përballojnë rritjen e çmimeve, të mos falimentojnë,” tha Berisha.