Domatja, mall luksi/ Në Dubai kushtojnë më pak se në Shqipëri

Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet më të prekura nga lufta në Lindjen e Mesme, të ndëshkuara nga pezullimi i fluturimeve, turizmit dhe tregtisë së naftës e gazit. Megjithatë, çmimet e fruta-perimeve në vendin e ngritur mbi shkretëtirë është dhe me pothuajse zero për qind bujqësi janë më të ulëta se në Shqipëri.

Vox News vëzhgoi këto ditë çmimet në tregjet e fruta-perimeve në Tiranë dhe të dhënat e përfituara tregojnë një shtrenjtim nga 20 deri në 70 për qind të çmimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Tiranë, një kilogram domate shitet këto ditë nga 280 deri në 340 lekë, sipas varietetit të saj dhe zonës së tregtimit, ndërkohë që në Emiratet e Bashkuara Arabe, një kilogram domate shitet aktualisht me 180 lekë, ose rreth 33 për qind më lirë se në vendin tonë.

Të dhënat që Vox News siguroi nga çmimet e shumicës në tregun e Lushnjes dhe të Elbasanit, që mbajnë edhe peshën kryesore të furnizimit të pikave të shitjes në Tiranë tregojnë se një kilogram domate po shitet me 120 deri në 160 lekë nga fermerët, teksa te konsumatori në kryeqytet mbërrin me çmimin mesatar prej 300 lekësh, ose dy herë më shumë nga sa e shtet fermeri.