Bruksel, 26 Mars 2026
Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka hedhur poshtë propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos nga vendet anëtare.
Kos deklaroi në një intervistë për Politico se nuk është e sigurt nëse Rama dhe Vuçiç e kuptojnë plotësisht procesin e kërkuar për të qenë pjesë e Shengenit dhe tregut të përbashkët, duke nënvizuar kompleksitetin e reformave të nevojshme, si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin formal në BE.
Komisionerja shtoi se Komisioni Evropian ka paraqitur tashmë tre opsione për politikën e zgjerimit:
Opsioni 1: Ruajtja e status quo-së.
Opsioni 2: “Integrim gradual”, ku vendet kandidate marrin pjesë në iniciativa të BE-së pa anëtarësim formal.
Opsioni 3: “Integrim fazor” ose “i kthyeshëm”, që parashikon anëtarësim të shpejtë zyrtar me vazhdimin e reformave.
Kos theksoi se opsioni i tretë nuk është i pranueshëm dhe as status quo-ja nuk zgjidh sfidat e procesit, duke nënvizuar nevojën për konsultime të mëtejshme me vendet anëtare. Ajo gjithashtu bëri thirrje që ato vende që nuk mbështesin idetë e Komisionit të propozojnë alternativat e tyre.
Rama dhe Vuçiç, në një intervistë të përbashkët për Frankfurter Allgemeine Zeitung, kishin propozuar që vendet kandidate të përshpejtojnë integrimin pa të drejtën e veto-s, për të zbutur shqetësimet e vendeve rezervuar ndaj zgjerimit të BE-së. Ata theksuan gjithashtu sfidat e mundshme për funksionimin efektiv të një BE-je me më shumë anëtarë dhe nevojën për reforma të brendshme për të ruajtur kohezionin dhe aftësinë vendimmarrëse.














