“Kam dy muaj që nuk fle”, Silvinjo: Ndeshja me Poloninë, ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, doli në konferencë për mediat një ditë përpara sfidës së rëndësishme Play-Off për Botërorin ndaj Polonisë, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për ekipin kuqezi.

Tekniku brazilian u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në krahasim me vitin 2023, por nënvizoi se edhe kundërshtari ka evoluar në të njëjtën mënyrë.

Ai e cilësoi përballjen si një nga më të rëndësishmet për Kombëtaren.

“Ne jemi përmirësuar shumë si skuadër nga viti 2023, po ashtu edhe Polonia. Sa i përket faktit nëse është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe për mua si trajner, sigurisht që kemi eksperiencën e Europianit, kemi luajtur edhe ndeshje të rëndësishme si ndaj Serbisë, që kishte edhe ngarkesë gjeopolitike, por besoj se ndeshja ndaj Polonisë është një nga më të rëndësishmet”, u shpreh Silvinjo.

Tekniku kuqezi, vlerësoi kundërshtarin, ndërsa theksoi se kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme për Shqipërinë. Ndër të tjera, ai theksoi se polakët janë të fortë si grup, duke mos pranuar të veçojë vetëm sulmuesin Lewandowski.

“Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Tifozët i kemi gjithmonë pranë. Sa i përket ndeshjes në Tiranë, E shkuara ka kaluara. Ka qenë një moment tjetër. Do jetë një ndeshje e vështirë. Duhen sa më pak gabime. Nuk ka lidhje me ndeshjen e parë. Është një ndeshje tjetër.

Lewandowski është një sulmues shumë i mirë, nga më të mirët në botë. Rreth tij është një ekip i mirë. Duhet kujdes nga e gjithë skuadra. Mund të jetë i rrezikshëm, por janë të gjithë të rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes.”

I pyetur nga gazetarët nëse do të flejë sonte, kur jemi një ditë para ndeshjes, trajneri u përgjigj me humor: “Nuk fle prej dy muajsh.”

Sa i përket formacionit dhe aktivizimit të lojtarëve si Muçi, Pllana dhe Shehu, të cilët njohin kampionatin polak, Silvinjo tha se ende nuk ka vendosur përfundimisht: “Nuk e di kush do të jetë në fushë, por jam i kënaqur me të tre.”

Në fund, ai theksoi se gjithçka mund të ndodhë brenda 90 minutave dhe se mbështetja e tifozëve do të jetë një faktor kyç për Shqipëria në këtë përballje vendimtare.