Në fillim të shekullit XX, Elbasani ishte një nga qytetet ku etja për dije dhe kulturë ishte e jashtëzakonshme. Intelektualët e kohës u bashkuan për të ngritur dy institucione që do t’i shërbenin brezave: bibliotekën dhe muzeun e qytetit.
Për krijimin e muzeut u ngarkuan Lef Nosi dhe Filip Papajani, ndërsa për bibliotekën përgjegjës u caktuan Ahmet Dakli dhe Shefqet Daiu.
Në faqet e revistës “Kopshti Letrar”, pothuajse në çdo numër, botohej një thirrje drejtuar autorëve dhe qytetarëve që të dhuronin libra për bibliotekën. Ata ftoheshin t’i dorëzonin pranë kujdestarëve të saj, Ahmet Daklit dhe Shefqet Daiut. Në këtë nismë u angazhua edhe patrioti Thanas Floqi, i cili kontribuoi në mbledhjen e librave.
Nevoja për një bibliotekë publike shihej si pjesë e zhvillimit të qytetit. Në një artikull të vitit 1923, me titull “Vullnet e qëndresë në punë”, shkruhej se Bashkia e Elbasanit duhej të krijonte një teatër kombëtar, një bibliotekë popullore dhe një muze.
Në të njëjtën periudhë u zhvillua edhe një fushatë e gjerë për nxitjen e leximit. Fotografi dhe mësuesi Foti Papajani shkruante se libri kishte një rol të pazëvendësueshëm në edukimin e njerëzve dhe në formimin e tyre. Edhe biblioteka personale e Lef Nosit u bë më vonë pjesë e fondit të bibliotekës së Elbasanit.
Një bibliotekë e ndërtuar mbi dhurime
Historia e Bibliotekës Publike të Elbasanit është e veçantë, sepse si godina ashtu edhe një pjesë e madhe e fondit të saj janë krijuar falë dhurimeve.
Familja Baholli dhuroi truallin ku u ndërtua biblioteka, financoi godinën dhe bleu librat e parë, duke përmbushur amanetin e Nazif Bahollit. Pas humbjes së djalit të tij në moshë të re, ai vendosi që kujtimi i tij të jetonte përmes një biblioteke në shërbim të qytetit.
Në vitet ’30 fondi u pasurua më tej falë dhurimeve të patriotëve, studiuesve, klubeve dhe shoqërive kulturore.
Godina historike është rikonstruktuar plotësisht në vitet e fundit dhe është zgjeruar me ambiente të reja. Sot ajo ka dy kate: njëri shërben për fondin e librave, ndërsa tjetri për sallat e leximit dhe studimit.
Edhe sot biblioteka vijon të frekuentohet. Aty gjen pensionistë që lexojnë shtypin e ditës, studentë që përgatisin temat e diplomës, si edhe studiues që kërkojnë botime të rralla.
Biblioteka numëron rreth 200 mijë libra, prej të cilëve afro 160 mijë janë në gjuhën shqipe, rreth 20 mijë në gjuhë të huaj, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga koleksione periodikësh.
Një nga dhurimet më të rëndësishme ishte edhe fondi personal i akademikut Mahir Domi. Në vitin 2003, familja e tij ia dhuroi bibliotekës koleksionin, duke respektuar dëshirën që profesori kishte shprehur para se të ndahej nga jeta.
Një pasuri e rrallë librash
Biblioteka “Qemal Baholli” ruan një nga fondet më të rëndësishme bibliotekare në vend.
Ajo zotëron mijëra tituj të albanologjisë, koleksione të periodikut shqiptar dhe të huaj, libra për fëmijë, si edhe botime në gjuhë të ndryshme.
Ndër thesaret e saj janë libra në turqisht dhe arabisht të shekujve XVI-XVII, botimi i vitit 1591 mbi veprat e Skënderbeut, “Historia e Skënderbeut” e botuar në 1709, dorëshkrime të rilindësve shqiptarë, si dhe botime të Kristoforidhit, Fishtës, Xhuvanit e shumë autorëve të tjerë.
“Asgjë nuk e zëvendëson librin”
Shkrimtari Fatos Kongoli e përmbledh më së miri rëndësinë e bibliotekës dhe të librit:
“Bota është zhvilluar, ka mjete të tjera komunikimi dhe internet, por asgjë nuk do ta zëvendësojë librin. Atë që merr nga libri, nuk e merr nga asgjë tjetër.” Bardha Nergjoni









