Asllani feston ditëlindjen në një ditë me Interin, mesazhi i veçantë që mori nga klubi zikaltër

Kristjan Asllani ka festuar sot 23-vjetorin e tij, në një ditëlindje që ka përkuar edhe me atë të klubit pjesë të cilit është, Interit.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka marrë shumë urime në rrjetet sociale por ai i klubit të tij në faqen zyrtare ka qenë me të vërtetë i veçantë, edhe për faktin se Asllani e ka deklaruar hapur se që i vogël ka qenë tifoz me zikaltrit.

“Në ditëlindjen e Interit feston edhe Kristjan Asllani. Lojtar teknik, i aftë në fazën e krijimit dhe mbajtjes së topit, mesfushori shqiptar ka lindur në Elbasan më 9 mars 2002 dhe sot feston ditëlindjen e tij të tretë si zikaltër.

Pasi mbërriti te Interi në verën e vitit 2022, Kristjan deri më tani ka bërë 85 paraqitje dhe ka shënuar 2 gola për zikaltrit, njëri prej të cilëve erdhi direkt nga këndi në ndeshjen e luajtur këtë sezon kundër Udinezes në Kupën e Italisë. Gjatë eksperiencës së tij me Interin, Asllani fitoi një Kupë të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë, përtej titullit kampion të jashtëzakonshëm të sezonit të kaluar.

Me rastin e 23-vjetorit të lindjes, Kristjan merr urimet më të mira nga e gjithë familja e Interit!”, shkruhej në mesazhin e zikaltërve.