Elbasan/Fotovoltaikë mbi kullota dhe pyje pa konsultim real dhe vlerësim mjedisor

Një investigim në Elbasan zbulon se toka publike po vihet në dispozicion për impiante fotovoltaike pa miratime të plota dhe pa konsultim real me banorët

Në rrugën që ngjitet drejt Labinotit Mal, mes kullotave dhe tokave që mbajnë ende gjallë ekonominë familjare të zonës, banorët flasin me pasiguri për një projekt që mund të ndryshojë gjithçka.
“Na kanë thënë që do vendosen panele… por nuk dimë saktësisht çfarë do bëhet,” thotë një prej tyre.
Të tjerë janë edhe më të prerë: “Nuk dimë gjë konkrete, nuk kemi parë asnjë dokument, është zonë pa shumë banorë” shprehen ata.
Bashkia nxitoi qeradhënien para projektimit
Dokumentet tregojnë një realitet tjetër nga ai që u komunikohet banorëve. Rreth 40 hektarë fond pyjor në Shmil janë dhënë me qira për projekte energjetike nga Bashkia Elbasan, përmes një ankandi me vetëm një ofertues, kompaninë Rozafa sh.p.k. Por ndërkohë që toka është dhënë, projekti për impiantin fotovoltaik prej rreth 40 megavatësh rezulton ende në fazë aplikimi dhe pa miratimet e nevojshme.
Kjo lloj praktike sipas ekspertëve, përmbys logjikën ligjore të zhvillimit. “Kur toka jepet përpara se projekti të jetë miratuar, bashkia merr një angazhim pa pasur garanci që projekti do të realizohet apo që është në përputhje me kriteret mjedisore,” shprehet një ekspert mjedisi. “Kjo qasje e kthen procesin nga një procedurë e kontrolluar në një fakt të kryer, ku institucionet vendosen përpara presionit të një investimi tashmë të nisur”thekson më tej ai.

Në terren, procesi i konsultimit publik duket formal dhe i cunguar. “Sa mbaj mend ishim ja 15 veta… s’na tha njeri për kullotat apo mjedisin,” kujton Imer Drazhi, banor i lagjes së sipërme.
Ndërsa një tjetër anëtar i komunitetit, Sabri Skura, shton se për pjesën më të madhe të fshatit ka munguar njoftimi. “Unë nuk njoh askënd këtu përreth që të jetë ftuar në atë takim. Skemi pasur njoftim” . Në një projekt që prek drejtpërdrejt territorin dhe ekonominë lokale, mungesa e konsultimit real përbën shkelje të standardeve bazë të transparencës dhe përfshirjes.

Kontradiktat thellohen edhe më tej në nivel institucional. Agjencia Kombëtare e Pyjeve pas një kërkese për informacion, konfirmon me shkrim se “nuk është paraqitur asnjë aplikim” për ndërtimin e impianteve të tilla në zonat pyjore dhe kullosore dhe se është shprehur negativisht për iniciativa të ngjashme për shkak të mungesës së një baze të plotë ligjore.
Ndërkohë Bashkia e Elbasanit nuk i është përgjigjur kërkesave për informacion, duke lënë një boshllëk transparence për një proces që përfshin pasuri publike.

Ekspertët paralajmërojnë për pasojat
“Këto zona janë ekosisteme të ndjeshme që luajnë rol në ruajtjen e biodiversitetit, në mbrojtjen nga erozioni dhe në balancat natyrore të territorit. Ndërtimi i impianteve në këto sipërfaqe, pa një analizë të plotë, mund të çojë në degradim të tokës dhe humbje të funksioneve ekologjike,” thekson eksperti i politikave mjedisore Kristi Bashmili. Ndërkohë, eksperti i pyjeve Ahmet Mehmeti shton se “fundi pyjor nuk mund të trajtohet si një sipërfaqe e zakonshme për zhvillim dhe çdo ndryshim destinacioni kërkon procedura të qarta dhe të plota”.
Ankandi me një konkurues
Edhe mënyra si janë zhvilluar procedurat e dhënies me qira ngre pikëpyetje. Në 18 mars të 2024 bashkia e hedh për konsultim publik dhe vetëm një muaj më pas e tenderon atë me një operator duke u klasifikuar me flamur të kuq nga OpenData. “Kur kemi një operator të vetëm për përdorimin e një pasurie publike, duhet të analizohen me kujdes kushtet e tenderit dhe mënyra si është zhvilluar procesi,” shprehet Aranita Brahaj. Mungesa e konkurrencës dhe dhënia e sipërfaqeve të mëdha publike për një operator të vetëm shtojnë dyshimet për mënyrën se si menaxhohen këto pasuri” thekson ajo.
Ndryshimet ligjore
Në këtë sfond, kuadri ligjor shfaqet si një tjetër hallkë problematike. Neni 17 i ligjit “për fondin kullosor” i ndryshuar më 31.10.2024 ka hapur rrugë për përdorimin e këtyre sipërfaqeve për aktivitete ekonomike, përfshirë edhe energjinë diellore. Por ekspertët paralajmërojnë se ky nen, në mungesë të mekanizmave mbrojtës, mund të përdoret për të ndryshuar destinacionin e kullotave dhe pyjeve, duke i nxjerrë ato gradualisht nga fondi përkatës dhe duke çuar në reduktimin e vazhdueshëm të tyre .

Ndërsa tranzicioni i gjelbër përdoret si argument për zhvillim, mënyra se si po zbatohet në terren ngre më shumë pikëpyetje sesa përgjigje.
Pa transparencë, pa konsultim real dhe pa një bazë të qartë ligjore, ekspertet thone se këto projekte rrezikojnë të kthehen në një precedent të rrezikshëm që dëmton mjedisin, dobëson besimin publik, zhvesh gradualisht fondin pyjor dhe kullosor nga funksioni i tij jetik. Nëse nuk ka reagim, sipas tyre, pasojat mund të jenë shumë shpejt të pakthyeshme.

This story was produced with the financial support of the European Union under the SMS
Facility – Small Media Support in Western Balkans project – locally implemented by
SCIDEV. The content is the sole responsibility of the media outlet and the author, and does
not necessarily reflect the views, opinion, or values of the European Union, SCiDEV, or the
SMS Facility project.