BallinaBotaTragjike! U kap me mbi 105 gramë kokainë, gruaja ndërron jetë gjatë...

Tragjike! U kap me mbi 105 gramë kokainë, gruaja ndërron jetë gjatë marrjes në pyetje nga Policia

PRIZREN — Një grua ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë intervistimit në ambientet e Policisë së Kosovës. Ajo ishte ndaluar një ditë më parë në pikën kufitare të Vërmicës, së bashku me një person tjetër, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tyre u gjetën dhe u sekuestruan mbi 105 gramë kokainë, dy fishekë dhe dy telefona celularë.

Sipas Policisë së Kosovës, autoritetet kufitare ndaluan më 15 nëntor 2026, rreth orës 18:00, një veturë BMW me targa lokale ku udhëtonin një burrë dhe një grua, shtetas të Kosovës. Gjatë kontrollit të mjetit u sekuestruan 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë. Të dy personat rezultojnë të njohur për policinë, ndërsa me urdhër të prokurorit u bastis edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull, ku u gjet dhe u konfiskua një detektor për identifikimin e GPS-ve dhe kamerave.

Pas intervistimit, i dyshuari mashkull u ndalua për 48 orë, ndërsa gruas iu përkeqësua gjendja shëndetësore në momentin që po niste intervistimi në prani të avokatit mbrojtës. Pavarësisht ndihmës së parë në vendngjarje dhe transportimit urgjent drejt spitalit, mjekët konfirmuan vdekjen e saj rreth orës 01:30.

“E dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Mjekësinë Ligjore për obduksion dhe ekspertizë, ndërsa për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes kanë nisur hetimet nga njësitë hetimore të Stacionit Policor në Prizren, Sektori Rajonal i Hetimeve, prokurori kujdestar, si dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular