MEKSIKA- Një tjetër gazetar është vrarë në Meksikë, duke e çuar në dhjetë numrin e gazetarëve të vrarë në vend që nga fillimi i vitit 2026, sipas të dhënave të Reporterëve pa Kufij (RSF). Bëhet fjalë për Eduardo Flores, trupi i të cilit u gjet mbrëmjen e së shtunës në qytetin turistik të Acapulcos, në shtetin Guerrero.
Lajmi u raportua nga portali mediatik Enfoque Informativo, ku gazetari punonte. Ndërkohë, Prokuroria e shtetit Guerrero ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në një deklaratë, redaksia e medias ku punonte Flores e cilësoi vrasjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Eduardo Flores mbulonte kryesisht çështjet e sigurisë, të drejtave të njeriut dhe personave të zhdukur. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar nëse vrasja e tij ka lidhje me aktivitetin e tij gazetaresk. Shteti Guerrero konsiderohet një nga rajonet më të dhunshme të Meksikës, ndërsa vendi vijon të mbetet një nga më të rrezikshmit për gazetarët.
Redaksia e Enfoque Informativo ka kërkuar një hetim të plotë, transparent dhe profesional për zbardhjen e vrasjes. Një numër i konsiderueshëm i vrasjeve të gazetarëve në Meksikë mbeten ende të pandëshkuara, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e punonjësve të medias dhe lirinë e shtypit në vend
