Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 35-vjeçarin Albano Ameti, mësues i edukimit fizik në shkollën “Hajredin Beqari” në Selenicë, i cili akuzohet për veprën penale të ngacmimit seksual ndaj disa nxënëseve të mitura.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokatja mbrojtëse ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me vendimin e gjykatës dhe rrethanat e çështjes. Ajo ka theksuar se pretendimet e ngritura ndaj klientit të saj nuk qëndrojnë në formën dhe përmbajtjen që u është atribuar në media dhe se komunikimet apo udhëzimet e dhëna gjatë orës së edukimit fizik kanë qenë të karakterit rreptësisht profesional dhe sportiv, të lidhura me mbajtjen e qëndrimit të drejtë të trupit gjatë ushtrimeve fizike. Sipas mbrojtjes, nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi privat, mesazhi apo sjelljeje tjetër të papërshtatshme jashtë kontekstit shkollor.
