VLORË — Hetimet për zbardhjen e shkakut të helmimit të fëmijëve në Vlorë po përqendrohen te depozitat e ruajtjes së ujit në tarracat e pallateve dhe sistemet e brendshme të furnizimit.
Analizat paraprake të kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik (DSHP) kanë evidentuar dyshime për ndotje mikrobiologjike në ujin e ruajtur në depozita apo bojlerë individualë. Ndërkohë, testimet e kryera në rrjetin kryesor të Ujësjellësit të qytetit kanë rezultuar të pastra dhe pa prani ndotjeje.
Specialistët e Shëndetit Publik sqarojnë se deri më tani është analizuar vetëm një mostër uji e marrë nga depozita e njërit prej pallateve ku u regjistruan raste, për rrjedhojë shkaku përfundimtar mbetet i pakonfirmuar. ISHP dhe DSHP Vlorë po vijojnë marrjen e mostrave dhe verifikimet e mëtejshme laboratorike për përcaktimin e saktë të burimit të helmimit.



