DURRËS- Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare, në një moment të vështirë për partinë, për shkak të protestave dhe përplasjeve të brendshme. Mbledhja do të zhvillohet në orën 10:00, në një resort turistik në Gjirin e Lalzit, larg kryeqytetit. Takimi pritet të nisë me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, deri më tani, nuk është bërë publike një axhendë e detajuar e mbledhjes.
Një nga temat kryesore pritet të jetë përgatitja për zgjedhjet vendore të 9 majit, veçanërisht mënyra se si do të përzgjidhen kandidatët për 46 bashkitë. Brenda PS-së kanë nisur të përmenden disa emra si kandidatë të mundshëm, por ende nuk ka një vendim zyrtar.
Për Bashkinë e Tiranës, Erion Braçe ka shprehur dëshirën për të garuar dhe ka kërkuar që kandidatët të përzgjidhen përmes një procesi të brendshëm partiak. Një tjetër emër që përmendet është ai i Ogerta Manastirliut, e cila ishte propozuar më herët nga Rama për zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2025, të cilat nuk u zhvilluan.
Përveç zgjedhjeve, në mbledhje pritet të diskutohen edhe shqetësimet brenda partisë, protestat e muajve të fundit, pakënaqësitë e qytetarëve dhe marrëdhënia e socialistëve me drejtësinë, veçanërisht çështjet që po SPAK po heton. Kjo është mbledhja e parë e Asamblesë së thirrur nga Rama pas protestave të zhvilluara.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Përmes një shkrese, ai argumentoi se masa e arrestit nuk duhet t’i heqë të drejtën për të ushtruar aktivitetin e tij politik. Takimi i sotëm pritet të tregojë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore dhe si do të trajtohen tensionet brenda radhëve të saj
