Tiranë – Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i furnizuar nga kompania e kateringut SORI-AL.
Katër studentë të tjerë iu drejtuan urgjencës me simptoma të ngjashme me ato të kursantëve të prekur më herët, duke e çuar në 64 numrin total të rasteve të raportuara.
Në lidhje me ngjarjen, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njoftoi se, menjëherë pas sinjalizimit nga Akademia e Sigurisë, inspektorët ushtruan kontrolle në subjektin SORI-AL. Sipas AKU-së, verifikimet në ambientet e Akademisë konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dokumentacion të rregullt.
Autoriteti bëri me dije se janë marrë 14 mostra ushqimore nga vaktet e drekës dhe darkës të datës 24 qershor, të cilat janë dërguar për analiza mikrobiologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).
Në kuadër të hetimeve për gjurmueshmërinë e ushqimit, AKU kreu kontrolle edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, ku përgatiteshin ushqimet. Si masë paraprake, është vendosur pezullimi i aktivitetit të kompanisë SORI-AL në këtë adresë deri në publikimin e rezultateve laboratorike.
Ndërkohë, Komisariati Nr. 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e kompanisë, Alma Tafani, e cila ka deklaruar se furnizimi me ushqim është kryer çdo ditë sipas kontratës dhe se përgatitja e vakteve është bërë duke respektuar procedurat dhe standardet higjieno-sanitare.
Në kuadër të hetimeve janë pyetur gjithashtu kuzhinieri, stafi përgjegjës për ndarjen dhe shpërndarjen e ushqimit, si dhe studentët e prekur.
Edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se institucionet kanë ndërmarrë të gjitha masat për izolimin e ambienteve dhe verifikimin e shkaqeve të incidentit. Ai theksoi se rasti i parë i helmimit në Akademinë e Sigurisë, sipas analizave të kryera, ishte i lidhur me problematika higjieno-sanitare dhe jo me cilësinë e ushqimit.
Për rastin e fundit, ministri u shpreh se shkaku i ngjarjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike, ndërsa hetimet e Policisë, Prokurorisë dhe AKU-së vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.




