Champions League/ 6 gola në Rrogozhinë, por vetëm barazim për kampionët e Egnatias!

RROGOZHINE – Sfida e parë e turit të dytë të Champions League mes kampionëve të Shqipërisë dhe atyre të Sllovenisë dhuroi spektakël.

Rrugën e rrjetës e gjeti fillimisht Bitri tek Egnatia në minutën e 7-të, që u ndihmua edhe nga një devijim. Miqtë barazuan në fundin e pjesës së parë, atëherë kur çdo gjë dukej nën kontroll.

Në minutat e para të pjesës së dytë ishte Celje që përmbysi rezultatin me Kucys (54’). Megjithatë, Fernando riktheu barazpeshën me një supergol në minutën e 58-të.

Celje ishte me fat, pasi Egnatia humbi raste me Albanesen dhe Xhemajlin ndër të tjera, përpara se ekipi slloven të kalonte sërish në epërsi një gol të papritur nga Kvesiç në minutën e 66-të, goli i dytë për të.

Gjithsesi, kampionët e Egnatias e rikthyen barazpeshën me Diabate (78’), që është edhe zbulim nga merkato e verës. Me rezultatin përfundimtar 3-3, gjithsesi gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit në transfertë pas një jave, e cila do të luhet më 28 korrik në Slloveni, duke nisur nga ora 20:15.