TIRANË- Sot mbahet protesta e 54-të radhazi kundër qeverisë së Edi Ramës. Qytetarët shprehen se janë të vendosur që do protestojnë deri në largimin e kryeministrit nga pushteti. Ndryshe nga herët e tjera, qytetarët kanë paralajmëruar se protesta sot do të nisë që në orën 08:30, në ditën ku zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar.
Organizatorët e protestës kanë paralajmëruar dhe kanë bërë thirrje nga podiumi i protestës mbrëmjen e djeshme, që sot në orën 08:30 të mblidheshin fillimisht në sheshin “Skënderbej” për t’i lënë rrugë marshimit drejt Kuvendit, ku në orën 10:00 nis seanca plenare.
Gjithashtu është lajmëruar që protesta do jetë e shoqëruar me aksion në goditjen me vezë apo miell të deputetëve të Kuvendit dhe për këtë shkak do u zihet prita në hyrje të institucionit, pavarësisht nga masat e Policisë. Kjo do të jetë e disata protestë qytetare që mbahet para Kuvendit.
Protestat e mëparshme janë shoqëruar me përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë, pasi këta të fundit ushtruan dhunë ndaj qytetarëve që ishin të pranishëm në tubim. Gjatë protestave të zhvilluara deri tani nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa protestuesit kanë kërkuar ndryshime të thella politike dhe institucionale.
Gjatë tubimeve qytetarët kanë brohoritur një zëri “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj Pazar”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen” dhe “Ju erdhi fundi”.




