Mjeti rrokulliset 150 m në greminë në Stravaj të Librazhdit. Drejtuesi i plagosur me pistoletë para aksidentit

0
13

Një aksident rrugor i shënuar në orët e fundit në Librazhd ka marrë përmasa hetimore kriminale, pasi forcat e rendit kanë zbuluar se drejtuesi i mjetit kishte pësuar dëmtime nga një konflikt me armë zjarri përpara se automjeti të përfundonte në humnerë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Farrët të njësisë administrative Stravaj, ku një automjet i llojit Mercedes-Benz me targa AB 178 DV ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një greminë me thellësi rreth 150 metra.

Nga verifikimet e kryera nga grupi hetimor, në timon të mjetit ndodhej 22-vjeçari Renis Pajtim Kalnxhi, i ditëlindjes 2004. I riu është nxjerrë nga terreni i thyer malor dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Librazhdit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia nuk ka konstatuar persona të tjerë brenda apo pranë makinës. Megjithatë, pranë mjetit të dëmtuar është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se i riu dyshohet se është përfshirë në një konflikt violent dhe është dëmtuar me armë zjarri përpara se makina e tij të dilte nga rruga.

Komisariati i Policisë Librazhd, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të dinamikës, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në përplasje dhe përcaktimin e pronësisë së armës së gjetur.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu