TIRANË — Producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas më shumë se dy orë e gjysmë marrjeje në pyetje nga hetuesit.
Gjebrea është thirrur në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për çështjen ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku ka dhënë shpjegime lidhur me financimet që kompania e tij, “Jon Music”, ka marrë nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Kënga Magjike”.
Sipas të dhënave të platformës “Open Spending Data”, e cila pasqyron pagesat e kryera përmes Thesarit të Shtetit, rezulton se kompania “Jon Music” ka përfituar 6 pagesa nga Bashkia e Tiranës gjatë kohës kur institucioni drejtohej nga Veliaj. Hetuesit e posaçëm kanë pyetur Gjebrenë për këto transferta financiare dhe rrethanat e përfitimit të tyre.
Pas përfundimit të seancës së pyetjeve, Ardit Gjebrea ka folur shkurtimisht për mediat në dalje të godinës, duke konfirmuar statusin e tij procedural dhe duke shkëmbyer batuta me gazetarët.
“Isha në cilësinë e dëshmitarit për një çështje që është sekret hetimor. Nuk flas dot më shumë, më duhet të respektoj institucionet. Isha si person në dijeni. Jo keq. Ishin miqësorë. Edhe unë i ftova në programin tim. Po prokurorët, edhe ata njerëz janë. Meqenëse ‘E diela Shqiptare’ ka përmasa njerëzore, më ftuan i ftova,” tha Gjebrea.



