564 vite më parë, më 8 nëntor 1462, kryeipeshkvi i Durrësit, imzot Pal Engjëlli, hodhi në letër një nga dëshmitë më të çmuara të historisë së gjuhës shqipe “Formulën e Pagëzimit”, dokumentin më të hershëm të njohur deri më sot në gjuhën shqipe.
Shkruar në latinisht (gjuha kishtare e kohës), në këtë dokument dëshmohet për herë të parë “Formula e Pagëzimit” në gjuhën shqipe:
“Un te pagezonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”, që në shqipen e sotme do të thotë: “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Deri më sot konsiderohet si dokumenti më i hershëm i njohur i gjuhës shqipe (8 nëntor 1462).
Lidhur me këtë ngjarje historike, reagoi sot edhe Kreu i Kuvendit, Niko Pelesh.
“Më shumë se pesë shekuj më parë, këto fjalë të arta të gjuhës sonë u hodhën në letër, duke hyrë kështu në përjetësi dhe na lënë një trashëgimi me vlerë historike për identitetin tonë kombëtar.
Gjuha shqipe është një nga pasuritë më të çmuara që kemi trashëguar. Ta flasim me krenari, ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm me dashuri e përkushtim”, shprehet Peleshi.
Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëlli, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i ngushtë i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ruhet në Bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe u zbulua për herë të parë nga historiani rumun Nicolae Iorga më 1915.
Ky dokument është fryt i vizitës baritore që imzot Pal Engjëlli ndërmori si udhëheqës shpirtëror nëpër kishat famullitare të kryedioqezës së Durrësit.
Në përfundim të saj, ai paraqiti një pasqyrë të gjendjes së organizimit të Kishës, situatës së vështirë dhe rreziqeve që i kanoseshin popullsisë, duke u lënë porosi priftërinjve dhe besimtarëve që t’i pagëzonin foshnjat në rrezik vdekjeje me formulën e njohur shqip.
Trashëgimia kulturore, 30 milionë lekë grante për rijetësimin e kullave të veriut
Së fundi, në këtë dokument Pal Engjëlli i drejtohet Selisë së Shenjtë për të ndihmuar popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.
Pal Engjëlli, ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. I lindur rreth vitit 1417, në familjen fisnike të Engjëllorëve të Drishtit, ai shërbeu si kryeipeshkëv i Durrësit, diplomat dhe këshilltar i Heroit Kombëtar.
Pal Engjëlli ndërroi jetë rreth viteve 1469–1470, por emri i tij mbetet i lidhur me historinë e gjuhës shqipe përmes Formulës së Pagëzimit, dokumentit që dëshmon përdorimin e shqipes së shkruar në shekullin XV.
