AUSTRALI- Shefi i kuzhinës, Davide Tamburella, u përball me një konflikt me drejtuesit e restorantit La Costa në Brisbane, pasi refuzoi disa herë të përgatiste pica me proshutë dhe ananas, duke argumentuar se ky kombinim ishte fyes për kulturën italiane.
Sipas raportimve nga mediat e huaja, ngjarja u bë objekt diskutimi pasi restoranti kishte marrë një porosi për një aktivitet me vlerë mbi 15 mijë dollarë australianë, ku klienti kishte kërkuar pikërisht pica me ananas. Pronari i restorantit, Elliot Ingram, tha se kjo nuk ishte hera e parë që kuzhinieri kundërshtonte një kërkesë të tillë, pasi kishte refuzuar ta përgatiste këtë picë edhe në dy raste të mëparshme. Pas një takimi me drejtuesit, Tamburella u pushua nga puna më 20 maj.
Ai kundërshtoi vendimin përmes një ankese pranë Komisionit Australian të Marrëdhënieve të Punës, por kërkesa e tij u rrëzua për shkak se ishte paraqitur jashtë afatit ligjor. Në vendimin për pushimin nga puna ishin përmendur edhe shqetësime të tjera lidhur me sjelljen e tij në ambientin e punës. Rasti riktheu në vëmendje debatin e vjetër mbi vendin që duhet të ketë ananasi në picë, një kombinim që vazhdon të ndajë opinionet mes adhuruesve të kësaj recete dhe mbështetësve të traditës italiane.
