Një incident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur pasditen e së mërkurës në rrethinat e Bulqizës. Rreth orës 13:40, në pyllin e fshatit Fushë-Sopot, një 44-vjeçar me iniciale B. F., banues në Tiranë, ka qëlluar nga pakujdesia me armë gjahu një 29-vjeçar gjatë kohës që po gjurmonte një kafshë të egër.
Si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat, viktima, i identifikuar si E. L., 29 vjeç, banues në fshatin Strikçan, ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Pas njoftimit mbi ngjarjen, shërbimet e policisë kanë bërë të mundur shoqërimin e 44-vjeçarit në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në cilësinë e provës materiale, autoritetet kanë sekuestruar armën e gjahut të përdorur gjatë incidentit. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.



