Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mesditën e kësaj të marte në zonën e Tepelenës, duke lënë të plagosur dy persona, të cilët janë transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore. Të dëmtuar kanë mbetur Xhulio Salaj dhe Lisien Shehu, banues në Memaliaj dhe shokë me njëri-tjetrin.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ka ndodhur në një ambient pranë banesës së babait të 28-vjeçarit, në një zonë rurale të Tepelenës. Dy të rinjtë dyshohet se janë dëmtuar aksidentalisht nga një lëndë plasëse ende e papërcaktuar, duke pësuar djegie në trup dhe në fytyrë, si dhe dëmtime në sy.
Menjëherë pas ngjarjes, të plagosurit janë dërguar fillimisht në spitalin më të afërt dhe më pas janë transportuar drejt Spitali i Traumës për trajtim më të specializuar, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar llojin e saktë të lëndës plasëse, si dhe për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit. Burime paraprake sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një mjet shpërthyes të pashpërthyer më parë, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht.
Autoritetet bëjnë me dije se po vijon dokumentimi ligjor i rastit, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo me elementë të tjerë që mund të kenë ndikuar në shpërthim.













