Sherr masiv mes të rinjve, dy të plagosur rëndë pas goditjeve me sende të forta

Një konflikt i dhunshëm ka përfshirë një grup të rinjsh ditën e sotme në qytetin e Vlorës, duke lënë pas dy persona të dëmtuar rëndë. Ngjarja është shënuar në lagjen “Lef Sallata”, në rrugicat pas Bulevardit “Ismail Qemali”.

Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, rreth 10 persona janë përfshirë në një sherr masiv, i cili dyshohet se ka nisur fillimisht si një debat i çastit për motive banale.

Situata ka degraduar shpejt në dhunë fizike, ku palët e përfshira kanë përdorur sende të forta kundër njëri-tjetrit, përfshirë edhe copa tullash.

Të lënduarit janë Sejdi Latifaj dhe Batjar Llanaj, të cilët kanë marrë plagë në kokë. Ata janë transportuar në spitalin e Vlorës, për të marrë ndihmën e specializuar mjeksore. Forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë më shumë mbi shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta të Policisë së Vlorës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.

Uniformat blu kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për mbledhjen e provave materiale dhe sigurimin e kamerave të sigurisë, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij konflikti.