Futbolli shqiptar dhe ai kosovar janë tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të futbollistit Fatjon Bunjaku.
Mesfushori 22-vjeçar, i cili ishte pjesë e AF Elbasanit, humbi jetën pas një aksidenti të rëndë automobilistik në aksin Prishtinë-Mitrovicë, duke lënë pas një karrierë premtuese të ndërprerë tragjikisht në kulmin e saj.
Bunjaku iu bashkua Elbasanit në verën e vitit 2025 dhe konsiderohej një nga afrimet me perspektivë të skuadrës verdheblu. Para se të mbërrinte në Shqipëri, ai kishte ndërtuar karrierën e tij kryesisht në futbollin kosovar.
Gjatë viteve të fundit, 22-vjeçari veshi fanellat e KF Trepçës, Lirisë, Gjilanit dhe Malishevës, duke fituar eksperiencë në nivelet më të larta të futbollit në Kosovë.
Në futbollin shqiptar, Bunjaku luajti gjithsej 31 ndeshje dhe realizoi 3 gola, duke dhënë kontributin e tij në kampionatin elitar.
Talenti kosovar ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueseve të moshave të Kosovës. Ai regjistroi 3 paraqitje me kombëtaren U19 dhe 4 paraqitje me Kosovën U21.





