Vrau efektivin Enea Mekolli gjatë aksionit policor, gjykata lë në burg Violand Braçellarin

KORÇË – Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Violand Braçellarin, i dyshuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjen e efektivit tjetër, Edison Adri.

Seanca gjyqësore u zhvillua këtë të diel në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku 41-vjeçari ndodhet i shtruar për shkak të plagëve të marra gjatë përplasjes së armatosur me policinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 qershor në fshatin Lozhan të Maliqit, gjatë një operacioni për kapjen e Braçellarit, i cili ishte në kërkim nga autoritetet. Sipas hetimeve paraprake, ai ka qëlluar me armë zjarri ndaj forcave të policisë, duke i marrë jetën efektivit Enea Mekolli dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri.

Në vendimin e saj, gjykata ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të dyshuarit dhe ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë.

Braçellari po hetohet për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda afatit ligjor prej pesë ditësh nga komunikimi i tij i arsyetuar.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nga organet ligjzbatuese.