Konfirmohet nga bashkëshortja! Trupi i pajetë i gjendur në lumë i përket ish drejtuesit të lartë të gardës, Flamur Kolmarku

TIRANË – Ish-ushtaraku i karrierës dhe drejtuesi i lartë i Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, është gjetur pa shenja jete pas disa ditësh kërkimesh intensive nga familjarët dhe autoritetet.

Lajmi është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, e cila në një deklaratë për mediat është shprehur: “E gjetëm, ka ndërruar jetë”, duke i dhënë fund kërkimeve që vijonin prej disa ditësh.

Kolmarku rezultonte i zhdukur që prej pasdites së së enjtes, ndërsa familjarët kishin apeluar për ndihmë dhe kishin shpërndarë informacion për gjetjen e tij në disa zona të vendit.

Sipas të dhënave paraprake, 55-vjeçari kishte shërbyer për më shumë se dy dekada në Gardën e Republikës dhe konsiderohej një figurë e njohur në strukturat e sigurisë së shtetit.

Familjarët kanë bërë me dije se ai vuante nga probleme shëndetësore të lidhura me kujtesën, për të cilat ishte nën trajtim mjekësor kohët e fundit. Gjendja e tij dyshohet se ishte përkeqësuar gradualisht në vitet e fundit.

Gjatë ditëve të kërkimeve, pista kryesore e hetimeve ka qenë lëvizja e mundshme e tij drejt zonave ku kishte lidhje personale apo emocionale, ndërsa ai ishte parë për herë të fundit në lëvizje në drejtim të zonës Burrel–Urakë.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, familjarë, miq dhe ish-kolegë kanë shprehur ngushëllime për humbjen e tij, duke e kujtuar si një profesionist të përkushtuar në shërbim të shtetit.